Woody Allen xhiron film të ri me Christoph Waltz dhe Gina Gershon në rolet kryesore

Prishtinë | 11 Qer 2019 | 11:55 | Nga Ekonomia Online

Shtëpia spanjolle e produksionit “Mediapro Studio” njoftoi se regjisori amerikan Woody Allen këtë verë do ta xhirojë një komedi romantike në Spanjë, ndërsa rolet kryesore do t’i luajnë Christoph Waltz dhe Gina Gershon.

Shtëpia e produksionit Mediapro Studio e ka bërë tashmë produksionin e tre filmave të Woody Allen – “Midnight in Paris”, “Vicky Cristina Barcelona” dhe “You Will Meet a Tall Dark Stranger”.

“Filmi i ri i Woody Allen ka një skenar inteligjent dhe një ekip të shkëlqyeshëm ndërkombëtar të aktorëve”, thuhet në njoftimin e shtëpisë së produksionit Mediapro Studio, shkruan KOHA Ditore.

Ky është filmi i tij i parë pas akuzave se 25 vjet më parë kishte abuzuar seksualisht me vajzën e tij Dylan Farrow, akuza këto të cilat u rishfaqën pas fillimit të lëvizjes #MeToo në vitin 2017. Allen i hodhi poshtë këto akuza në disa raste, ndërsa ai u përkrah publikisht nga djali i tij Moses dhe gruaja e tij Soon-Yi Previn.

Në shkurt të këtij viti, ai i kërkoi 68 milionë dollarë dëmshpërblim nga Amazoni, pasi që studioja refuzoi ta përmbushte pjesën e vet të marrëveshjes për produksionin e katër filmave të Allen.

Të ngjashme