Votimet në veri, Sveçla: Lista Serbe bojkotoi e sabotoi procesin demokratik, dita u përmbyll pa asnjë incident

Prishtinë | 21 Pri 2024 | 21:04 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka konfirmuar tashmë se ka dështuar shkarkimi i katër kryetarëve shqiptar në veri për shkak të mospjesëmarrjes së qytetarëve në votime.

Por, pavarësisht kësaj, Policia ka njoftuar se gjatë ditës së votimeve nuk është regjistruar asnjë incident.

Për këtë ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili i ka përgëzuar institucionet e sigurisë.

“Përgëzoj institucionet tona të sigurisë falë përkushtimit të së cilave sot përmbyllëm këtë ditë të zgjedhjeve pa asnjë incident të vetëm në katër komunat veriore”, kashkruar Sveçla.Njoftimi i plotë:

Përgëzoj institucionet tona të sigurisë falë përkushtimit të së cilave sot përmbyllëm këtë ditë të zgjedhjeve pa asnjë incident të vetëm në katër komunat veriore.

Republika e Kosovës i dha mundësinë qytetarëve të katër komunave veriore që sot të vendosin për kryetarët e katër komunave të tyre. Në anën tjetër, Lista Serbe si në të kaluarën ashtu edhe tash, përmes formave të ndryshme të udhëzuar nga Beogradi bojkotoi e sabotoi procesin demokratik si mundësi për të çuar komunat në zgjedhje të reja. Ky subjekt i mishëruar me metoda jodemokratike nuk e gjen asesi veten te një proces kaq demokratik.

Komisioni Qendror Zgjedhor në bashkëpunim me institucionet tjera edhe njëherë dëshmoi përkushtim në zbatimin e mandatit të tij dhe respektimin e plotë të të drejtës së qytetarëve për të vendosur për të ardhmen e tyre.

Ne do të vazhdojmë angazhimin tonë për qytetarët tanë pavarësisht dallimeve, institucionet tona do të jenë në shërbim të të gjithëve dhe për sigurinë e vendit tonë. Kosova është Republikë demokratike, e gjithë qytetarëve pa dallim.

Të ngjashme