Komisionerja evropiane për Tregti, Cecilia Malmström, pret që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump të shtyjë afatin e 18 majit për tarifat amerikane për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian.
Trump i cili rriti tarifat mbi 200 miliardë dollarë të importeve kineze, pritet që të marrë një vendim për makinat evropiane të cilat mund të ndikojnë në eksportin dhe importin e tyre.
Malmström tha se ishte e mundur që afati të zgjatet pasi Uashingtoni është i fokusuar në bisedimet tregtare me Pekinin.
“Ka sinjale se mund të zgjatet, për shkak të negociatave tregtare midis SHBA-së dhe Kinës”, tha Malmström.
Udhëheqësit dhe zyrtarët evropianë prej kohësh kishin thënë se nuk do të diskutonin marrëveshjet tregtare nën kërcënimin e veprimeve nga Trump, të cilat disa i krahasuan me negociatat me një armë në kokë.