Bie lindshmëria në Pejë për 200 foshnja çdo vit

Prishtinë | 26 Shk 2018 | 08:51 | Nga

Lindshmëria në Komunën e Pejës çdo vit po shënon rënie. Megjithëse numri i lindjeve në vitin 2017 në Repartin Gjinekologjik të Spitalit të Pejës, krahasuar me vitin paraprak dallon për rreth 200, megjithatë siç konfirmojnë në këtë spital, rënia e lindjeve në këtë komunë është një trend në rënie që po shënohet vit pas viti, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Vazhdimisht ka rënie të lindjes në Spitalin e Pejës. Pothuajse kemi çdo vit nga 200 lindje më pak”, thotë drejtori i Spitalit në Pejë, Skënder Dreshaj. Ai tregon se në vitin 2016 kanë qenë 2 mijë e 250 lindje, ndërsa vitin e kaluar 2 mijë e 65. Edhe në librat regjistrues në Ofiqarinë e Pejës është i dukshëm ky trend i rënës së lindjeve.

Shefqet Thaçi, shef i Ofiqarisë së Pejës, tregon se gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 3 mijë e 30 lindje. Prej tyre, siç thotë ai, janë 1 mijë e 974 regjistrime të rregullta, prej të cilave 1 mijë e 873 lindje brenda vendit dhe 101 jashtë vendit.

“Lindje të regjistruara me vonesë pas 30 ditë të lindjes, kanë qenë vitin e kaluar 1 mijë e 56, prej tyre 424 lindje brenda vendit dhe 632 lindje jashtë vendit”, tregon statistikat e tjera Thaçi për lindjet e vitit të kaluar. Të gjitha statistikat e lindjeve në vitin 2017 janë në numër më të ulëta sesa në vitin 2016.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme