Dështon gjykimi në rastin e “Burdushit”

Prishtinë | 31 Jan 2022 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj dëshmitarit F.Sh., për shkak se i njëjti mungoi pa arsye në seancën e paraparë për të hënën, në rastin ku Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, po akuzohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje.

Lidhur me mungesën e dëshmitarit F.Sh, kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala deklaroi se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së hënës kanë munguar edhe dëshmitarët B.K. dhe F.C., për të cilët gjykatësi Shala tha se janë ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo të njëjtit me parashtresat e tyre e kanë njoftuar gjykatën se jetojnë jashtë vendit.

Sipas gjykatësit Shala, të dy dëshmitarët kanë deklaruar në parashtresat e tyre se mbesin pranë deklaratave të dhëna më herët.

I pranishëm në seancë nuk ishte as dëshmitari M.K., për të cilin gjykatësi Shala tha se ka ndërruar jetë, e se gjykata e ka siguruar edhe certifikatën e vdekjes.

Lidhur me dëshmitarin F.Sh., prokurorja speciale Merita Bina-Rugova tha se duhet siguruar prezenca e tij, me arsyetimin se deklarimi i të njëjtit është i rëndësishëm.

Kurse për dy dëshmitarët tjerë, prokurorja propozoi që të lexohen deklartatët e tyre.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Durim Osmani e kundërshtoi leximin e deklaratave të tyre, përderisa u pajtua me propozimin që të sigurohet prezenca e dëshmitarit F.Sh.

Kështu, trupi gjykues aprovoi propozimin për sigurimin e prezencës së dëshmitarit F.Sh. Për të njëjtin tha se do të lëshohet urdherëse për sjellje me detyrim. Kurse, për dy dëshmitarët tjerë tha se do të vendoset në seancat e radhës.

Ndryshe, prezent në sallë të gjykimit ishte edhe përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, Mark Kaqinari.

Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar, së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar “aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 deri më 26 korrik 2019, në Prizren, në selinë e këtij biznesi, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse , me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore ka dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve ju ka kryer trajtime të improvizuara duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t’i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.

Për këto, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 262, paragrafi 1 i KPRK-së lidhur me veprën penale mashtrimi në vazhdimësi nga neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal.

Prokuroria Speciale e ngarkon të akuzuarin Peqani edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi që sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij në Prizren, janë gjetur armë, pistoletë e tipit “Girsan” si dhe pushkë gjuetie e tipit “Super Campion”.

Prokuroria pretendon se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Për këto veprime ai akuzohet për veprën penale të shpëlarjes së parave nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32 paragrafi 1 dhe 2 nën paragrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Të ngjashme