Dosja e Prokurorisë tregon si ndodhi vrasja në Arbëri – Konflikti nisi për 5 mijë euro fajde

Prishtinë | 22 Mar 2023 | 17:24 | Nga Ekonomia Online

Është zbuluar dosja e Prokurorisë lidhur me vrasjen që ndodhi të shtunën pasdite në lagjen Arbëria në Prishtinë, ku mbeti i vrarë një person. Rexhep Tahiri, 50-vjeçar, mbeti i vrarë me armë zjarri. Si të dyshuar lidhur me rastin u arrestuan vëllezërit Mustafë e Avni Mustafa.

Gazeta Insajderi mëson se motivi i kësaj ngjarje të rëndë i kishte paraprirë një konflikt verbal. Tashmë i ndjeri, Rexhep Tahiri, iu kërkonte dy vëllezërve që t’ia kthenin një shumë të parave që ua kishte huazuar, por me kamatë, përkatësisht fajde.

Në dosjen që ka siguruar Insajderi thuhet se e gjithë ngjarja kishte nisur për “Fajde”. Fillimisht i ndjeri kishe sulmuar dy vëllezërit me thikë duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore e më pas në vetëmbrojtje i dyshuari Avni Mustafa kishte shtënë me armë drejtë viktimës.

Sipas dosjes, thuhet se vëllezërit kanë shkuar për të takuar të ndjeri me qëllim për t’ia paguar një shumë parash që ata ia kanë marr dhe tua ndërpritet fajdeja. Por pasi kanë kërkuar me ua ndërpre fajdeja i ndjeri ka eskaluar ndaj vëllezërve duke iu thënë se “Do të ju bëj shoshë”. Pastaj ka sulmuar me thikë dy vëllezërit.

“Dy vëllezërit kanë shkuar për të biseduar me qëllim që të merren vesh me të ndjerin dhe djalin e tij që t’ia ndërpret fajdenë dhe t’i pranoj parat që i ka pasur borxh, përkatësisht kthimin e tyre por në momentin që është biseduar të ndërpritet fajdeja ka eskaluar situata dhe është thënë nga i ndjeri në drejtim të vëllezërve: ‘Do të ju bëj shoshë’”, thuhet në dosje.

Gjithnjë sipas dosjes, Avni Mustafa i kishte thënë vëllait të tij që të largohen nga vendi i ngjarjes para se të ndodhte vrasja, duke i thënë: “Këtu nuk paska marrëveshje, eja të shkojmë dhe ta denoncojmë në polici”. Por, kjo nuk ndodh pasi që ata dyshohet se u sulmuan me thikë nga i ndjeri i cili pastaj mbeti i vdekur.

Sipas avokatit mbrojtës të të dyshuarit Avni Mustafës, avokati Besnik Berisha ka thënë se qëllimi i të ndjerit ishte që t’i privonte nga jeta dy vëllezërit.

Ndërsa avokati mbrojtës i vëllaut tjetër, Mustafë Mustafa, Skender Musa, tha për Insadjerin se ndaj klientit të tij është refuzuar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit pasi që nuk ka kryer asnjë vepër penale.

“Në mungesë të provave dhe në mungesë të dyshimit të bazuar mirë, kundër të mbrojturit tim Mustafë Mustafa, është refuzuar kërkesa e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit sepse nga video-incizimet e marra, padiskutueshëm është vërtetu që z. Mustafë Mustafa nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe nuk ka asnjë element të veprës penale dhe ka qenë i paarmatosur”, tha ai.

Musa tregon se motivi i vrasjes ka qenë për pesë mijë euro. Sipas tij, Mustafë Mustafa i ka huazuar viktimës një shumë prej 5 mijë eurove dhe tashmë i ndjeri, Rexhep Tahiri, ka tentuar t’i fus në fajde. Nga ky moment dyshohet se ka filluar sulmi ndaj vëllezërve.

“Motivi ka qenë për shkak se mbrojtja  ka huazuar një shumë prej 5 mijë eurove nga ana e të ndjerit dhe i ndjeri ka tentuar ta fus në fajde përkundër faktit që ky ka bërë përpjekje që t’ia paguaj parat që ka huazuar dhe në këtë formë – në momentin që ka treguar që nuk paguan fajde ai është alarmuar dhe ka fillu t’i sulmoj të dy vëllezërit. Edhe ai (Avni Mustafa) është në gjendej të rëndë ka pas sulm afër veshkës, mushkërive dhe zemrës. Ai është në gjendje të rëndë shëndetësore”, deklaroi ai.

Personi që ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës sipas avokatit Skednder Musa është Avni Mustafa pasi ai ka qenë vazhdimisht duke u sulmuar me thikë.

“Në bazë të provave shihet qartë se vëllai i mbrojtjes time ka shtënë në drejtim të të ndjerit i cili ka qenë vazhdimisht duke e sulmuar me thikë edhe Avniun edhe Mustafën. Të gjitha elementet e mbrojtës janë plotësuar në këtë rast”, tha Musa.

Dy vëllezërit janë sulmuar me thikë

Avni dhe Mustafë Mustafa janë sulmuar me thikë nga i ndjeri Rexhep Tahiri. Sipas avokatit Musa, klienti I tij është therur me thikë në veshke dhe dy duart.

“Ka qenë i therur në anën e majtë mbi veshkë dhe është i lënduar rëndë  në dorën e djathë e ka edhe gishtin e thyer nga sulmi me thikë e po ashtu edhe në dorën e majtë është i lënduar me thikë dhe është I prerë dhe ka lëndime të rënda nga i ndjeri”, tha ai.

Vendimi i Gjykatës

Lidhur me rastin u arrestuan dy të dyshuar, M.M dhe A.M për shkak të veprave penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje” dhe “mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Gjykata ka konfirmuar se njërit iu është caktuar masa e paraburgimit ndërsa tjetrit iu është refuzuar, shkruan Insajderi.

“Gjykata Themelore e Prishtinës, informon se caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M.M e ka refuzuar ndërsa për të pandehurin A.M kërkesën e prokurorisë e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji“, thuhet në njoftim

“Gjyqtari i Procedurës Paraprake, pas dëgjimit të prokurorit të shtetit, të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre, për caktimin e masës së paraburgimit, vlerësoj se kërkesa e prokurorit të shtetit sa i përket të pandehurit A.M është e bazuar sepse janë përmbushur kushtet e parapara me nenin 184, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale, ndërsa sa i përket të pandehurit M.M, në mungesë të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale, kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit është refuzuar, si e pa bazuar”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin është sekuestruar edhe: Një revole me një karikator, 11 fishekë, një gëzhojë dhe një thikë, ka njoftuar policia.

Të ngjashme