​Kosova vlerësohet vend me potencial në turizëm dhe sport, 80 biznese pjesëmarrëse në panair

Prishtinë | 05 Maj 2022 | 12:58 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Më shumë se 80 biznese kanë marrë pjesë në panairin e Turizmit dhe Sportit, të organizuar nga CEO dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit, raporton Ekonomia Online.

Në kuadër të këtij panairi u prezantuan produkte dhe oferta të ndryshme nga Kosova si dhe vendet e rajoni, duke përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Italisë dhe vende tjera.

Kryetari i Prishtinës, Pëprarim Rama, ka deklaruar se ky panair po i nderon me prezencën e bizneseve të rajonit. Tha se ky panair e vendos Prishtinën në qendër të komunikimit rajonal derisa shtoi se liberalizimi i vizave do të ndikonte në krijimin e lidhjeve të reja ndërmjet bizneseve.

“Ky panair e vë Prishtinën në pozicion ku të gjithë ne në Kosovë synojmë ta kemi në një kryeqytet të rëndësishme të komunikimit rajonal e evropian. Ky panair sivjet po na ndihmon me praninë e bizneseve prej Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, e me një zgjerim të tij sivjet kemi reprezentues edhe prej Italisë. Vërtetë urojmë që liberalizimi i vizave të bëhet realitet i Kosovës sepse është interes i drejtpërdrejtë i çdo qytetari të Kosovës, jo thjeshtë për arsye turizmi por edhe për mundësinë e shtuar që u krijon lidhjeve të reja mes bizneseve”, tha Rama.

Ai shtoi se Prishtina po bëhet atraksion për gjitha bizneset ndërkombëtare.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në hapje të Panairit të Turizmit dhe Sportit të enjten në Prishtinë, ka folur për rëndësinë e turizmit.

Ajo nuk ka përmendur masat konkrete që ka ndërmarrë kjo ministri për ta promovuar dhe zhvilluar sektorin e turizmit.

“Vërtetë si Republikë e Kosovës së bashku me shtetet e rajonit kemi shumëçka për të promovuar në fushën e turizmit, në fushën e trashëgimisë kulturore dhe me potencialet që kemi malore, lumenjtë që ka Shqipëria, Mali i Zi e të tjera. Unë si ministre duke e ditur që kemi potencial për zhvillimin e sektorit të industrisë kemi vendosur turizmin si prioritet kyç të ministrisë që e drejtoj dhe është shumë me rëndësi që t’iu tregojë që së bashku me shumë akterë të turizmit me një koordinim të plotë ne po i sjellim në pah vlerat tona kulturore, sidomos trashëgiminë kulturore, të sjellim vlerat tona në pah edhe për turizmin malor, rural, por mos t’i harrojmë edhe artizanatet dhe kulturën e vjetër që populli e ka”, tha Hajdari.

E kryetari i Komitetit Olimpik i Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se panairet e tilla e ndihmojnë shtetin në imazhin ndërkombëtar.

“Është nder të jem në këtë panair që tashmë ka krijuar traditë. Sporti dhe turizmi lidhen ngushte me njëra tjetrën. Këtë vit në Prishtinë në korrik në Prishtinë organizohen turniri në volejboll ku do të pranishëm do të jenë 32 shtete, e që KOK do ta ndihmojë në këtë drejtim. Kok ka bërë një hulumtim që imazhet që i kanë sjellë Kosovës nga lojërat olimpike, kanë treguar se kapin vlerën e 8.2 milionë euro”, tha ai.

Kurse, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se është e rëndësishme t’i drejtojmë fëmijët në arsimin profesional në mënyrë që të jenë të gatshëm për sfidat e ardhshme.

“Është kënaqësi që të shoh panairet të cilat janë në të njëjtën linjë të programit të qeverisë sonë dhe së bashku më MKRS kemi ndarë fonde për 400 nxënës. Panairin e arsimit profesional dhe përtej asaj është se situata me pandeminë na tregon sesa është e rëndësishme t’i drejtojmë fëmijët në arsimin profesional në mënyrë që të jenë të gatshëm për sfidat e ardhshme. I inkurajoj të rinjtë që t’i vizitojnë panairet që e ndihmojnë në aftësimin e tyre profesional. Orientimi në karrierë është një nga objektivat që po punojmë si MASHT dhe tashme i kemi krijuar disa qendra të karrierës nëpër komuna të ndryshme që t’i ndajmë informatat me të rinjtë në Kosovë”, tha Nagavci.

Lexo më shumë:

Të ngjashme