2.8 milionë euro do të kushtojë ndërtimi i Parkut Industrial në Lipjan

Lipjan | 01 Pri 2019 | 13:40 | Nga Alban Begolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Komunën e Lipjanit, me ç’rast në mes të dy palëve është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për investime në fazën e dytë të ndërtimit të parkut industrial të kësaj komune, raporton Ekonomia Online.

Ministri i MTI-së, Endrit Shala, tha se deri më tani në këtë zonë ekonomike janë investuar më shumë se 1 milion euro derisa ka treguar se i gjithë projekti pritet të kushtojë rreth 2.8 milionë euro.

“Është kënaqësi që së bashku me kryetarin e nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit. MTI është zotuar të fillojë me të gjitha procedurat e ndërtimit të infrastrukturës së kësaj zone ekonomike që të jetë funksionale për bizneset dhe do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Lipjanit”.

“MTI është e përkushtuar në dy fusha, në krijimin e procedurës ligjore për përmirësim e të bërit biznes në Kosovë, njëkohësisht edhe në përmirësimin e kushteve fizike të infrastrukturës që bizneset ta kenë më të lehtë operimin në Kosovë. Kjo është një zonë ekonomike e cila parashihet të kushtojë rreth 2.8 milionë euro. Deri më tani në këtë zonë janë investuar përmbi 1 milion euro”, tha ministri Shala.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Imri Ahmeti, tha se  bashkë me ministrin Shala do të bëjnë përpjekje për të siguruar fonde shtesë për vazhdimin e zonës ekonomike në mënyrë që bizneset të kenë mundësi të vendosen aty.

“Pata kënaqësinë ta pres ministrin Shala ku nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm të zonës ekonomike të cilën e ka mbështetur edhe komuna me një shumë simbolike”.

“Kostoja totale e këtij projekti është 2.8 milionë euro, por besoj që bashkë me ministrin do të gjejmë fonde shtesë për vazhdimin e ndërtimit të kësaj zone që bizneset të kenë mundësinë të vendosen aty”, tha Ahmeti.

Për fazën e parë të ndërtimit të këtij parku kishte investuar e njëjta ministri nën udhëheqjen e Hikmete Bajramit nga qeveria Mustafa.

Të ngjashme