Më 2018 zgjerohet rruga Prizren-Prevallë, me staza për këmbësorë e çiklistë

Prizren | 04 Dhj 2017 | 17:28 | Nga

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, i shoqëruar nga ministri Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, zëvendësministri Qerim Bajrami dhe deputetja Duda Balje, vizituan sot projektin për zgjerimin e rrugës Prizren – Prevallë.

Ministri Lekaj ka premtuar se Ministria e Infrastrukturës dhe ai personalisht janë të përkushtuar që ky projekt të fillojë në vitin 2018-të, duke theksuar se prioritet do të jetë siguria e qytetarëve dhe se të gjitha komunitetet në vend do të trajtohen të barabartë.

“Së pari falënderoj ministrin, zëvendësministrin, deputeten dhe të gjithë juve që sot bashkërisht kemi ardhur këtu për të vëzhguar nga afër një projekt kapital për zgjerimin e rrugës Prizren – Prevallë”.

“Ne si ministri dhe unë si ministër personalisht, jemi zotuar që ky projekt të filloj në vitin 2018, pra kur edhe do të vihet gurthemeli. Por fillimisht na duhet projekti ideor dhe projekti i detajuar që të vazhdohet edhe me implementimin e projektit si i tillë”.

“Ajo që vlen të theksohet është se ne do të jemi të saktë në kohë si dhe në planifikim, por mbi të gjitha edhe në ofrimin e një sigurie shumë më të madhe të këtij projekti kapital për qytetarët e kësaj ane, sepse ne jemi të përkushtuar për të ofruar siguri për qytetarët”, shtoi Lekaj.

Sipas tij, zgjerimi i kësaj rruge ka qenë edhe më herët i domosdoshëm, por nuk ka ndodhur deri më tani. “Por ne marrim përgjegjësi që ky projekt të filloj në vitin 2018 dhe pastaj të shohim se sa mund të zhvillohet brenda atij viti. Zgjerimi kësaj rruge do të përfshijë edhe stazat për këmbësorë dhe çiklistë, por mbi të gjitha fokus do të jetë siguria e qytetarëve”, tha ministri Lekaj.

Ministri Lekaj është zotuar se pas përpilimit të detajuar të këtij projekti do të shihen edhe mundësitë buxhetore në përkrahje të këtij projekti të rëndësishëm për qytetarët kësaj ane dhe vet zonën e cila ka një rëndësi të madhe turistike dhe ekonomike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme