60% e automjeteve të reja në BE përdorin benzinën

Prishtinë | 08 Maj 2019 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Rreth 60 për qind e të gjitha automjeteve të reja për pasagjerë të regjistruara në Bashkimin Evropian në tremujorin e parë të vitit 2019 përdorin benzinën, përderisa më pak se një e treta furnizohen me naftë.

Sipas të dhënave të Asociacionit të Prodhuesve Evropian të Automjeteve (ACEA), të gjitha automjetet që përdorin burime alternative përbëjnë rreth 8.5 për qind të tregut të BE-së, ndërsa automjetet elektrike (ECV) llogariten në 2.5 për qind nga totali i automjeteve të shitura.

“Me përjashtim të Gjermanisë, kërkesa për automjete me benzinë është rritur në pesë tregjet më të mëdha të automjeteve në BE, me Italinë që përbën rritjen më të madhe procentuale me 21.6 për qind. Si rezultat i kësaj, pjesa e tregut të benzinës u rrit nga 55.5 për qind në 59.3 për qind në tremujorin e parë të vitit 2019”, thuhet në njoftimin e ACEA-së.

Regjistrimi i automjeteve me naftë u zvogëlua në shumicën e vendeve anëtare të BE-së me përjashtim të Gjermanisë, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë. Pjesa e automjeteve me naftë në treg shënoi rënie me pothuajse 6 pikë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe tani përbën 32.2 për qind të tregut.

Ndryshe, në vitin 2017 kishte 262 milionë makina të regjistruara në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Prej tyre, rreth dy milionë apo 0.8 për qind ishin elektrike apo hibride, që mund të ecin kombinuar me një motor benzine ose nafte. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme