A do të dalë Kosova nga CEFTA, zero përfitime për 11 vjet

Prishtinë | 10 Dhj 2018 | 12:04 | Nga Ekonomia Online

Sa fitoi Kosova nga CEFTA prej kur u bë anëtare (e përfaqësuar nga UNMIK-u, i cili po vazhdon edhe sot) në vitin 2007?

Të gjitha statistikat flasin së Kosova e ka kaluar një dekadë në një organizatë në të cilën nuk ka përfituar asgjë! Por, shtetet tjera të gjitha kanë shënuar bilanc pozitiv.

Një vit para se Kosova ta shpallte Pavarësinë e saj, një mekanzim rajonal po merrte formë. Bëhej fjalë për CEFTA’n, një organizatë për tregti të lirë, që përfshinte vende e Ballkanit Përendimorë dhe Moldavinë.

Kosova, që në atë kohë administrohej prej UNMIK’ut, një krijesë e OKB’s, u bë anëtare, por jo me kushte të barabarta sikur që ishin vendet tjera: Serbia, Bosnja, Maqedonia etj.

Një dekadë e më vonë, del se Kosova nuk ka përfituar asgjë nga kjo organizatë, përkundrazi ka hasur në shumë pengesa që i kanë bërë tri shtete që nuk e kanë njohur Kosovën: Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Me Moldavinë Kosova nuk ka kurrfarë marrëdhëniesh tregtare.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës: ZERO përfitime nga CEFTA!

Statistikat për Kosovën dhe shtete rajonit, i ka prezantuar Klubi i Prodhuesve të Kosovës, hollësitë e të cilave i sjellë Pista.News.

Sipas këtij Klubi, Kosova, me bilancin më negativ nga të gjitha këto shtete.

Deri në vitin 2017 Kosova importoi rreth 6.88 miliardë euro më shumë se që ka eksportuar.

Serbia nga viti 2007 deri në vitin 2016, ka përfituar nga eksporti rreth 14.83 miliardë dollarë më shumë të mira sesa që ka importuar në 7 vendet anëtare të CEFTA.

Në raport me vendet e rajonit, Kosova, prapë ka shënuar bilanc negativ.

Importet nga 2007 në 2017, në Maqedoni pësuan rënie për €79 milionë, ndërsa eksportet u rritën për €24 milionë. Një ndryshim i favorshëm në bilancin e tregtisë për rreth €103 milionë.

Importet nga 2007 në 2017, në Serbi u rritën për €229.5 milionë, ndërsa eksportet u rritën për €36.8 milionë. Një ndryshim i pafavorshëm në bilancin e tregtisë për rreth €192.7 milionë.

Raporti më i keq i importeve ndaj eksporteve të Kosovës është me Bosnjën. Për çdo euro të eksportit, janë importuar rreth 10.35€.

Serbia: Nga viti 2007 deri në vitin 2016 ka pasur bilanc negativ të tregtisë vetëm me Moldavinë. Pozitën e dytë më të keqe ndaj vendeve anëtare të CEFTA’s, Serbia e kishte me Shqipërinë – ndonëse pati një bilanc pozitiv të tregtisë

Shqipëria: Kishte bilanc pozitiv të tregtisë vetëm me Kosovën dhe Malin e Zi. Me Kosovën bilanci i tregtisë ishte 10 herë më i mirë sesa me Malin e Zi.

Bosnja e Hercegovina: Kishte bilanc pozitiv të tregtisë me Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Në këtë drejtim prijnë Kosova dhe Mali i Zi me bilanc pozitiv të tregtisë prej 738 milionë eurosh dhe 1.3 miliard euro respektivisht.

Kosova: Nuk ka pasur bilanc pozitiv të tregtisë me asnjë nga vendet anëtare të CEFTA’s.

Në hapje të javës së CEFTA-s, Endrit Shala, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, tha se mosnjohja e Kosovës është pengesa më e madhe jo-tarifore në CEFTA.

“Përqindja e importeve të BE për të gjitha vendet e CEFTA’s, përveç Kosovës, është 60%.
Për Kosovën, kjo përqindje është 40%. Përqindja e eksporteve në BE për të gjitha vendet e CEFTA’s përveç Kosovës, është 40%. Për Kosovën kjo përqindje është 20%.

Ju lutem, tregoni se si ekonomia e Kosovës do të ishte konkurruese përderisa në mënyrë të parreshtur ka harmonizuar legjislacionin e saj me Acquis të BE’s, ndërsa tregu i saj dominohet nga fqinjët, të cilët nuk e njohin Kosovën”.

Gjatë kësaj kohe, Kosova është përballur me barrierat jotarifore: Barrierat burokratike; kërkesa për dokumentacion të panevojshëm; me mosnjohje të certifikatave të Kosovës: certifikatat fitosanitare dhe mosnjohja e origjinës (Kosovës) së produkteve.

Sivjet Kosova ka qenë udhëheqëse e CEFTA’s, por mbledhja kryesore ka dështuar të mbahet për faktin se Kosova nuk ka pranuar të udhëhiqet nga UNMIK-u.

Por, jo gjithçka shkoi mbarë në këtë mbledhje.

Në këtë mbledhje , ku nuk u lejuan mediat, pati një shpjegim pas dështimit të saj nga ana e Ministrisë së Tregtisë.

“Që nga viti 2007, Kosova ka bërë përpjekje të konsiderueshme për zbatimin e Marrëveshjes së CEFTA’s dhe për kontributin në fuqizimin e procesit të integrimit ekonomik rajonal.

Gjatë kësaj periudhe, Kosova është prekur seriozisht nga kufizimet e pajustifikuara të vendosura në tregtinë e saj si nga Serbia, ashtu edhe nga Bosnja dhe Hercegovina.

Kosova i ka ngritur këto çështje vazhdimisht në shumë takime zyrtare të CEFTA’s, duke përfshirë takime të ndryshme të Komitetit të Përbashkët, dhe nuk ka qenë në gjendje të nxjerrë ndonjë përgjigje pozitive nga Palët përkatëse të CEFTA’s”.

Kosova e përfaqësuar nga MTI, shprehu keqardhje se marrëveshja e arritur midis krerëve përkatës të Delegacionit të Kosovës dhe Serbisë nuk u pasua nga delegacioni serb gjatë prezantimit të tyre në hapjen e takimit të Komitetit të Përbashkët të CEFTA’s.

Kosova kishte kërkuar që Komitetin ta drejtojë Ministri i Tregtisë, ndërsa, Serbia, Bosnja kishin kërkuar që mbledhja të udhëhiqej nga UNMIK.

Po ashtu, të dy shtetet nuk kishin pranuar që Kosovës të mos i drejtohen me akronimin “Kosova e Metohija”, por me “Republika e Kosovës”.

Pasi gjithë këto mospajtime nuk u tejkaluan, delegacioni i Kosovës kishte lëshuar mbledhjen, e përkrahur edhe nga Shqipëria.

Kjo bëri që takimi i Komitetit të Përbashkët të CEFTA’s ta ndërpres sesionin pa konkluzione.

Pra, 12 vjet pas krjimit të kësaj organizate, që për qëllim kishte lehtësimin e tregtisë së lirë, përfundon një mbledhje, ku disa shtete si Serbia dhe Bosnja, nuk heqin barrierat karshi Kosovës, një vendi që nuk e njohin si shtet sovran.

Thirrjet e fundit ndaj autoriteteve të Prishtinës, ishin që Kosova të dalë nga CEFTA pasi aty përfaqësohet nga UNMIK, dhe ta negociojë anëtarësimin e saj në kushte të barabarta me të gjitha vendet anëtare të saj.

Por, a do të marr një veprim të tillë Qeveria e Kosovës, mbetet të shihet. (Pista.News)

Të ngjashme