Abazi: Ka jo vetëm rritje të çmimeve, por edhe abuzim më të drejtat e konsumatorëve

Prishtinë | 11 Maj 2022 | 09:10 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në një intervistë për Ekonomia Online, tha se përpos rritjes të çmimeve të cilat kanë prekur qytetarët, në treg ka edhe abuzim me të drejtat e konsumatorëve. Abazi konsideron se AKK duhet të jetë funksionale.

“Konsiderojmë se rritja e çmimeve aktualisht ka prekur jashtëzakonisht shumë konsumatorët e Kosovës, ka jo vetëm rritje të çmimeve por edhe abuzim me të drejtat e konsumatorëve dhe mendojmë që në këtë drejtim Qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë në kapacitetet monitoruese për tregun e Kosovës. Të mbroj konsumatorët përmes mekanizmave institucional, të mos e lë jofunksional Autoritetin e Konkurrencës dhe mendojmë që kjo është një politikë destruktive nga ana e Qeverisë që për kohë kaq të gjatë ka lënë AKK jo funksional”, tha ai.

Abazi për EO thotë se  në këto kohë krize tregtarët po bëjnë edhe padrejtësi e shkelje, sipas tij ka raste kur çmimet janë më të shtrenjta në arkë se sa në raftet e produkteve.

“Kështu tregtarët në treg po bëjnë mjaft shumë praktika të padrejta, po bëjnë mjaft shumë shkelje të ligjit në atë mënyrë që qytetarët as nuk mund të parashikojnë rritjen e çmimeve as nuk mund të mbrojnë të drejtat e tyre. Çmimet vijojnë të jenë të jenë më të shtrenjta në arkë se sa në raftet e produkteve, ka vështirësi edhe sa i takon kualitetit të produkteve, sigurisë së tyre, rritjes së vazhdueshme pa një informim të drejtë të konsumatorëve mbi nivelet e çmimeve. Ka shkelje edhe sa i takon kontratave, kthimit të produkteve”.

Sa i përket subvencionimit me pagesa direkete, Abazi e konsideron se është një politikë e paqëndrueshme e që nuk e rritë mirëqenien e qytetarëve.

“Subvencionimi me pagesa direkte është një politikë e pa qëndrueshme nga ana e Qeverisë së Kosovës. Mund të harxhojmë miliona e miliona në tregun e Kosovës, mirëpo në qoftë se nuk i mbrojmë konsumatorët me instrumente institucionale atëherë vetëm do të pasurojmë edhe më tutje tregtarët e mëdhenj por nuk do të rrisim mirëqenien e qytetarëve dhe nuk do të mbrojmë interesat ekonomike të konsumatorëve”, ka deklaruar Abazi.

Tutje Dardan Abazi për 100 milionëshin e Qeverise së Kosovës për mbështetje të qytetarëve e sheh si një subvencionim të padrejtë i cili nuk ka trajtuar drejte qytetarët e vendit.

“Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Qeverisë me subvencionim në tarifa siç ka ndodhur me këtë 100 milionëshin ka qenë edhe ndërhyrje përmes një subvencionimi të padrejtë që nuk ka trajtuar drejtë qytetarët e Kosovës. Në të njëjtën kohë edhe nuk do të kontribuoj fare në efiçincën e energjisë. Është dashur të kemi një rritje të përgjithshme deri në 5% të çmimit të energjisë për gjitha kategoritë e konsumit në mënyrë që konsumatorët të ulin shpenzimin e energjisë elektrike. Kemi frikë që kjo politikë nuk do të ul shpenzimin e energjisë elektrike dhe do të vazhdojmë të kemi kërkesë të shtuar për energji elektrike në një kohë kur çmimet në traste ndërkombëtare pritet të ketë rritje të tyre”, tha ai.

Abazi thotë se është urgjente si masë afatshkurtër një pako e politikave në efiçincën e energjisë si dhe duke e lënë ZRRE e pavarur që të merr vendimet e veta në lidhje me çmimet e energjisë.

“Mendojmë që është urgjente një pako e politikave në efiçincën e energjisë edhe duke e lënë rregullatorin e pavarur  që të merr vendimet e veta në lidhje me çmimet e energjisë. Por edhe duke futur një program të efiçincës i cili do të ndërmerrte masa për izolimin e shtëpive, për ndërrimin e pajisjeve, për ndërrimin e kaldajave të qytetarëve për ngrohje, etj etj. Në mënyrë që konsumi të na bie në muajt e dimrit. Kjo është e vetmja masë afatshkurtre ndërsa masat afatgjate janë miratimi i menjëhershëm i strategjisë së energjisë, rritja e investimeve private në sektorin e burimeve të ripërtërishme të energjisë, një fuqizim të fondit të efiçincës së energjisë përmes futjes edhe të konsumatorëve shtëpiak në domenin e punës së tij dhe masat e tjera që kanë të bëjnë me liberalizimin e tregut, investimet në rrjet, në kapacitete rezervë siç janë bateritë etj etj. Këto janë masa më afatgjate që ne shpresojmë që sivjet Qeveria do t’i parashikoj përmes strategjisë së re të energjisë, ndërsa aktualisht dhe urgjentisht duhet të merremi me uljen e konsumit, me politikat e efiçincës dhe me menaxhment më të mirë edhe në KEK. Siç e dini ka pasur një dështim atje në kohën e krizës, mos të na përsëriten avari të ngjashme me ato që i kishim në muajt e kaluar”, u shpreh ai.

Të ngjashme