Abazi: Serbia s’mund ta pengojë procesin që Kosova tha Shqipëria të jenë në një bllok energjetik

Prishtinë | 05 Dhj 2019 | 15:31 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova dhe Shqipëria nga prilli i vitit 2020 do të jenë në të njëjtin bllok energjetik, raporton Ekonomia Online.

Nënshkrimi i marrëveshjes midis operatorit të sistemit dhe të tregut të energjisë elektrike KOSTT me Operatorin shqiptar të sistemit transmetues OST po thuhet se do të ketë benefite të shumta për rrjetin energjetik, për energjinë efiçiente dhe për uljen e çmimeve.

Dardan Abazi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në një prononcim për Ekonomia Online thotë se ky është lajm i shkëlqyer pasi e ulë koston rreth efikasitetit të transmisioneve të energjisë të dy vendeve dhe kështu do të ketë më pak nevojë për kapacitete energjetike.

“Kjo marrëveshje për një bllok të përbashkët energjetik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, ne konsiderojmë që është një lajm i shkëlqyer për sistemin energjetik të Kosovës dhe tregun energjetik në përgjithësi. Përveç këtij hapi, Kosova dhe Shqipëria atë që është hapi i parë i integrimit, një shembull se si dy tregjet mund të bashkëpunojnë dhe dy sistemet e transmisionit në atë mënyrë që të ulin koston të rritin efikasitetin e tyre të kenë një rezervë të ndarë të përbashkët të energjisë e cila do të mundësojë që të ketë edhe nevojë për më pak  kapacitete energjetike”.

Abazi konsideron që Kosova dhe Shqipëria përmes këtij blloku të përbashkët energjetik do të kenë përfitime të shumta, ku do të ulet kostoja dhe do tu hapet rrugë burimeve të ripërtërishme.

Ai tha se ky do të jetë një hap tutje që Kosova të integrohet në tregun e energjisë dhe në këtë mënyrë do të ketë një “bashkim energjetik”.

“Konsiderojmë që ka benefite të ndryshme nga kjo marrëveshje e cila në njërën anë do të rrisë kapacitetin, do të ulë koston për të dy operatorët e transmisionit të energjisë, si dhe do të hap rrugë të zhvillimit e më tepër burimeve të ripërtërishme të energjisë më pak burime konvencionale të energjisë, më pak nevojë për rezerva energjetike dhe në këtë mënyrë do të kemi pra edhe një hapje drejt rrugës më tutje drejt integrimit të plotë të Kosovës në tregun e energjisë dhe në këtë mënyrë, të realizojmë një bashkim “kombëtarë energjetik”  i cili do të ishte mjaft i nevojshëm dhe nga i cili do të përfitonin të gjithë edhe kompanitë e energjisë, por edhe konsumatorët kudo në përgjithësi”.

Abazi konsideron që përmes kësaj do të mundësohet edhe krijimi i një burse kombëtare e që më pastaj do të mund të integroheshin edhe shtetet e tjera të rajonit.

“Me këtë marrëveshje gjithashtu hapet rrugë që të ketë bashkëpunim më të madh në mes  të dy sistemeve të transmisionit të energjisë, të ketë më tepër shkëmbim të energjisë si dhe të ketë një bursë kombëtare të energjisë në të cilën bursë më pastaj mund të integrohen edhe shtetet e tjera të cilat më pastaj do të kontribuonin në një, rritje të shkëmbimeve tregtare në mbar rajonin dhe kështu do të mund të realizonim edhe një nga synimet e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, e që ishte edhe bashkëpunimi energjetik edhe integrimi i vendeve të rajonit në një sistem të përbashkët energjetik”.

Abazi nuk sheh ndonjë problem që kjo të realizohet dhe thotë se nuk shkelen marrëveshjet ndërkombëtare pasi Rrjeti Evropian i  Operatorëve të Sistemeve transmetuese të Energjisë Elektrike është i njoftuar me këtë veprim dhe ky hap i Kosovës dhe Shqipërisë për bllok të përbashkët energjetik është edhe në frymën e Traktatit të Energjisë i cili i thërret shtetet të bashkëpunojnë dhe është në frymën e bashkëpunimit dhe integrimit, politika këto që i mbështet edhe BE-ja dhe në këtë mënyrë Serbia është e detyrueshme ta pranoj këtë realitet në fushën e energjisë.

“Shtetet me doemos duhet të bashkëpunojnë me njëra tjetrën dhe në këtë kuptim Serbia nuk ka zgjedhje tjetër pos të njoh dhe të pranojë këtë realitet që po ndodhë. Ky realitet që  po ndodhë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, ky bllok rregullues i përbashkët është pikërisht në frymën e integrimit, në frymën e Traktatit të Komuniteti të Energjisë i cili thërret vendet anëtare të këtij traktati që të bashkëpunojnë në fushën e energjisë që të kenë sisteme të integruara të energjisë  dhe në këtë kuptim konsiderojmë që edhe kjo marrëveshje në mes të Kosovës dhe Shqipërisë jo që nuk shkel asnjë marrëveshje ndërkombëtare, por e kundërta kjo realizon frymën e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, frymën e Bashkimit Evropian në përgjithësi për më tepër solidaritet më tepër bashkëpunim dhe integrim”, tha ai për Ekonomia Online.

Kosova disa herë ka bërë kërkesë për anëtarësim në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemeve transmetuese të Energjisë Elektrike, por Serbia e ka bllokuar.

Të ngjashme