Abdixhiku: Bechtel-Enkan e falënderojmë, rrugëtimi ynë me të përfundon sot

Prishtinë | 06 Mar 2020 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Infrastrukturës dhe Mjedisit, Lumir Abdixhiku, ka thënë se koha kur Kosova jep miliona pa bazë ka shkuar.

Abdixhiku ka reaguar në faqen e tij në Facebook, pasi Qeveria e Kosovës sot shfuqizoi vendimin e marrë nga Qeveria Haradinaj që ia jepte “Bechtel & Enkas” edhe 50 milionë euro shtesë për ndërtimin e dy kyçjeve dhe një mbikalimi në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Postimi i plotë:

50 milionë

Në maj të vitit të shkuar, Qeveria e kaluar, kishte marrë vendim – të paprecedentë – t’i zgjasë afat dhe t’i shtojë punë në mënyrë arbitrare konsorciumit Bechtel Enka. Pa tender, pa konkurrencë, pa ofertë – thjeshtë me një vendim. Konsorciumi ndërsa, i kishte kërkuar Kosovës plot 49.6 milionë euro shtesë për tri punë shtesë.

Koha kur Kosova jep miliona pa bazë – 49.6 milionë euro më saktësisht – është e shkuar. Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka ngritur këtë çështje urgjente në Qeveri. Qeveria ndërsa, sot, me të gjitha votat për e asnjë kundër, anuloj vendimin për këtë angazhim. Nga koha e vendimit të shkuar e deri më sot mund të jenë shkaktuar dëme financiare të cilat do t’i trajtojmë si shtet me ligj e dinjitet.

Bechtel-Enken, ndërsa, e falënderojmë për punët e bëra deri më tani. Rrugëtimi ynë me dy autostradat e deritanishme përfundon sot. Për çdo angazhim tjetër në të ardhmen janë të mirëseardhur të konkurrojnë – barabartë me secilën palë tjetër.

Të ngjashme