Abrashi premton ta rrisë në 500 milionë buxhetin e Prishtinës

Prishtinë | 05 Nën 2017 | 13:34 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Arban Abrashi, kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës se Prishtinës, thotë se gjatë qeverisjes së ardhshme katërvjeçare buxheti i kryeqytetit do të dyfishohet dhe do të arrijë shumën prej 500 milionë eurosh. Ndërkohë, ai premton se gjithashtu 1.2 miliard euro investime do të nxiten gjatë qeverisjes së tij.

Abrashi, i shoqëruar nga ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, dolën të dielën në një konferencë për medie, ku kritikuan menaxhimin financiar në katër vitet e fundit nga Shpend Ahmeti dhe Vetëvendosje.

Abrashi tha se nën drejtimin e Shpend Ahmetit, ka pasur degradim dhe përgjysmim të buxhetit, sikurse dhe të investimeve kapitale, raporton Ekonomia Online.

“Gjatë katër vjet qeverisjeje nga Vetëvendosje dhe Shpend Ahmeti, Prishtina ka pasur një qeverisje shumë të keqe financiare dhe kjo është mëse e pafalshme. Buxheti i Prishtinës në vitin 2017 është më i ulët sesa në fillim të mandatit. Në katër vitet e qeverisjes buxheti i planifikuar nga viti në vit ka qenë 306 milionë euro, kurse nga kjo shumë janë harxhuar 233 milionë euro dhe kanë tepruar 72 milionë euro”.

“Investimet kapitale kanë pësuar dhe janë trajtuar më së keqi gjatë kësaj periudhe. Pjesëmarrja totale e buxhetit kapital ka rënë nga 59 për qind në fillim të mandatit në 51 për qind në vitin 2017. Në baza vjetore vetëm 50% e kapitalit janë realizuar. Kjo është arsyeja që Komuna e Prishtinës ka degraduar gjatë këtyre katër viteve qeverisjeje”, shtoi Abrashi.

“Investimet kapitale të planifikuara për vitin 2014/2017 kanë qenë 141 milionë euro kurse janë realizuar vetëm 71 milionë euro, përfshirë këtu edhe 10 milionë euro të cilat nuk janë investime kapitale, por që janë të regjistruara si të tilla, sepse ka pasur vendime gjyqësore të cilat janë të ekzekutuara nga buxheti i investimeve kapitale. Prandaj si investime kapitale në Prishtinë janë realizuar vetëm 61 milionë euro nga totali 141 milionë euro. Pra marrë në total investimet kapitale në komunën e Prishtinës për periudhën 2014/2017 janë humbur më shumën prej 80 milionë euro”.

Edhe te të hyrat vetanake, sipas pretendenti për të marrë drejtimin e Komunës më 19 nëntor, ka pasur keqqeverisje. “Gjatë kësaj kohë të hyrat vetanake të planifikuara kanë qenë 105 milionë euro, kurse janë realizuar vetëm 80 milionë euro. Buxhetit të komunës i kanë humbur 25 milionë euro si rezultat i neglizhencës dhe mosmenaxhimit të Komunës”.

Në vazhdim Abrashi u zotua se gjatë qeverisjes së ardhshme katërvjeçare buxheti i kryeqytetit do të dyfishohet dhe do të arrijë shumën prej 500 milionë euro.

“Ne do të sigurojmë që investimet kapitale të jenë më të larta dhe diku rreth qeverisjes do të arrijë në 300 milionë euro. Do të rrisim investimet kapitale në buxhetin e përgjithshëm me më së paku me 60 për qind. Gjithashtu do të rrisim të hyrat vetanake të komunës duke mundësuar zhvillimin e qytetit, duke promovuar bizneset duke zgjeruar bazën tatimore ndërsa në ndërkohë do të ulim pagesën e tatimit të pronës”.

“Ndërsa buxheti i investimeve kapitale do të rritet edhe nga një sërë bashkëpunimesh që i kemi planifikuar, sikurse me BQK-në, Bankën Gjermane për Zhvillim dhe BERZh-in. Gjithashtu do të nxisim edhe bashkëpunimin me qytetet dhe kryeqytetet e tjera në Evropë. Do të nxisim rreth 1.2 miliard euro investime private në zonat ekonomike të cilat tentojmë t’i themelojmë në Prishtinë, ndërtimi i infrastrukturës siç është ai i ndërtimit të rrugës B dhe rrugës A, promovimi i zonës në Gollak dhe zonave të tjera në Prishtinë”, ka përfunduar Arban Abrashi.

Të ngjashme