Agjencia e Pyjeve të Kosovës i reagon Odës së Afarizmit

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 19:20 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Pyjeve të Kosovës (APK),  ka reaguar ndaj një komunikate të Odës së Afarizmit të Kosovës(OAK), e datës 4 maj 2020, në të cilën u kërkua shkarkimi i kryeshefit të APK-së, Ahmet Zejnullahu, me arsyetimin se ky i fundit përmes një përgjigje ndaj odës kishte thënë se nuk i jep prioritet kërkesës së operatorëve ekonomik për lirimin e tyre nga qiraja për tokat pyjore të APK-së.

“Me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve dhe opinionit publik, Agjencia e Pyjeve të Kosovës, njofton opinionin publik se kryeshefi i APK-së, Ahmet Zejnullahu në asnjë rast nuk e ka dhënë një përgjigje të tillë për OAK-në dhe për hir të korrektësisë njoftojmë se ai në përgjigjen e tij ka theksuar se tashmë edhe APK-ja është në pritje të vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me kërkesën e odës për përfshirjen në Pakon Emergjente, për lirimin nga pagesa e qirasë të operatorëve ekonomik, të cilët shfrytëzojnë tokat pyjore”, është thënë në reagimin e APK.

Njoftohet se Agjencia Pyjore e Kosovës, me 31 mars të vitit 2020 ka pranuar kërkesën e OAK-së përmes Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ku më këtë rast është kërkuar nga agjencia përpilimi i një analize financiare për kërkesën e odës për pezullimin e qirasë për operatorët ekonomik në sektorin pyjor dhe të shihet aspekti ligjor se në cilin nivel duhet marrë ky vendim.

“Ndërkaq, me 06 prill të vitit 2020, APK-ja pas shqyrtimit të kërkesës së OAK-së,  (i cili përfshin vetëm sektorin e minierave/ mineraleve/gurthyesve ) kërkon nga Ministri i MBPZhR-së që ndërmarrjet, të cilat kanë kontratë për shfrytëzim në sektorin minerar nuk janë në grupin e ndërmarrjeve, të cilat përfshihen në lirimin e pagesës dhe më këtë rast i ka propozuar Ministrit Besian Mustafa, që për shkak të kushteve dhe rrethanave të krijuara me pandeminë COVID 19 të  kërkoj  nga Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Financave dhe Transfereve  të marrë vendim për pezullim të përkohshëm të pagesës për tre muajt e ardhshëm (01 Mars 2020-01 Qershor 2020) të qirasë , sepse kjo masë do të ketë direkt interferim në Buxhetin e Kosovës”, thuhet në ragim.

Agjencia Pyjore e Kosovës sqaron se që nga muaji mars nuk ka bërë asnjë presion ndaj asnjë operatori ekonomik për kryerjen e pagesave sipas kontratave,  pasi që jemi në pritje të një përgjigje nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe në momentin e marrjes së kësaj përgjigje, agjencia do të veprojë konform vendimit që do të merret për këtë çështje nga ana e tyre ne do të veprojmë konform  Vendimit që merret lidhur me këtë çështje.

“Duke u nisur nga këto argumente,  e deri në marrjen e një vendimi të tillë operatorët ekonomik nuk janë te liruar në kryerjen e obligimeve që rrjedhin sipas kontratës valide për shfrytëzimin e tokës pyjore me qira.

Agjencia Pyjore vepron në përputhje me ligjin si Agjenci Ekzekutive, e cila merret me menaxhimin dhe administrimin e pyjeve dhe tokave pyjore shtetërore dhe zbaton ligjet dhe Udhëzimet Administrative që e rregullojnë këtë sektor”, ka vazhduar reagimi.

MBPZhR-ja ka marrë për bazë kërkesat e OAK-së dhe ka formuar grupin punues për nxjerrjen e Udhëzimit Administrativ për rregullimin e sektorit minerar, i cili udhëzim tashmë është në procedurë të miratimit.

“Në anën tjetër, të gjithë operatorët me rastin e aplikimit për marrjen e tokës pyjore me qira, kanë qenë të informuar me kushtet ligjore dhe të gjitha kontratat janë bërë me vullnet te lirë pa imponime, prandaj lus  te gjithë në respektimin e tyre’, është thënë në reagim..

Të ngjashme