AgroKosova obligohet t’i kthej paratë nga shpronësimi i pronave

Prishtinë | 01 Shk 2022 | 11:33 | Nga Ekonomia Online

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka marr vendim që të kërkohet nga Blerësi (aksionari QMI sh.p.k. dhe Gruppo Vinicolo Fantinel s.p.a) i Ndërmarrjes së Re Agrokosova që të kthej mjetet e shpronësimit të cilat i janë paguar nga Qeveria e Kosovës për shpronësimin e disa pronave të ndërmarrjes për nevoja të autostradës.

Bazuar në raportet e auditorëve të jashtëm, vërtetohet qartë se Blerësi dhe Ndërmarrja e Re Agrokosova Holding sh.p.k. kanë bërë shkelje të rëndë të kushteve të kontratës, respektivisht nenit 6.2.2.a të Marrëveshjes së Zotimeve për shkak se as nuk kanë përmbushur zotimet për investime e as nuk kanë përmbushur zotimet për punësime.

Për më tepër Blerësi ka dëmtuar dhe zbritur vlerën e ndërmarrjes me anë të përfitimit jo ligjor kur është bërë shpronësimi i disa parcelave të ndërmarrjes nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërtimin e autostradës për Vermicë.

Me këtë rast mjetet e shpronësimit në vlerë prej rreth 630,000.00 Euro janë transferuar në llogarinë personale të njërit prej aksionarëve të “Gruppo Vinicolo Fantinel spa” në Bankën Teb dhe jo në llogarinë e ndërmarrjes.

Në të njëjtën kohë, Bordi i Drejtorëve ka marr vendim që pas tërheqjes së aksioneve të Ndërmarrjes së Re “AgroKosova Holding sh.p.k.” Suharekë, të vendos ndërmarrjen nën Administrim të Drejtpërdrejtë.

Veprim ky që ka për qëllim funksionim më të mirë të ndërmarrjes, zvogëlim të shpenzimeve, rritje e të hyrave si dhe rritje të vlerës së ndërmarrjes gjatë kësaj periudhe deri në një vendim përfundimtar, shkruan në njoftimin e Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Të ngjashme