AKB-ja dhe “Viva Fresh Store” promovojnë prodhimet vendëse, kërkohet të rritet cilësia e tyre

Prishtinë | 29 Nën 2018 | 13:28 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca Kosovare e Biznesit dhe “Viva Fresh Store” kanë bërë hapjen e ekspozimit dhe promovimit të prodhimeve vendëse.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka kërkuar nga prodhuesit të fokusohen te cilësia e produkteve vendëse, në mënyrë që të jenë më të preferueshme nga konsumatorët, raporton Ekonomia Online.

“Në kuadër të këtij organizimi që ka për qëllim promovimin e produkteve vendore, unë jam i informuar që kjo kompani i ka mbi 170 furnitorë nga produktet vendore dhe 30% e shitjes në këtë kompani është me produkte vendore. Por edhe një informatë që më ka kënaqë është se kjo kompani është duke ofruar për qytetarët edhe bukën me një çmim prej 20 cent dhe unë të inkurajoj, vazhdo me këtë furnizim”.

Agim Shahini nga AKB tha se duhet t’u jepet hapësirë më e madhe prodhuesve vendës dhe produkteve të tyre, raporton EO.

“Kjo është mundësi e madhe për prodhuesit vendorë dhe sot Viva Fresh Store është distrikt i prodhimeve vendore. Një mundësi e madhe që prodhuesit e vendit duhet ta shfrytëzojnë”.

“Institucionet e vendit vitet e fundit kanë bërë që të hiqet taksa për të gjitha teknologjitë prodhuese dhe lëndën e parë për prodhues vendorë. Ka marrë vendimet më të mira vitet e fundit, që pas pavarësisë së Kosovës,  për dhënien e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe produktet e tjera që nuk e konsiderojnë Kosovën si republikë”.

Ertan Bega, drejtor i marketingut në “Viva Fresh Store”, tha se edhe pse produktet vendëse mbulojnë një pjesë të sektorëve në këtë kompani, ka edhe sektorë të tjerë që nuk mund të mbulohen nga to për shkak të mungesës në treg, raporton EO.

“Sot kur flasim pas 15 vitesh bashkëpunimi, ne i kemi mbi 170 furnitorë në marrëdhënie të rregullta. Ne kemi stimuluar investimet e prodhuesve vendorë në shitje përmes çmimoreve më të volitshme. Në shumë kategori prodhuesit vendorë kanë hapësirë të kënaqshme, por ka edhe kategori që nuk ka prodhues”.

Florentina Raka, pronare e pastiçerisë Bohemian, ka prezantuar prodhimet që ajo bën, teksa ka thënë se asnjëherë nuk përdor produkte të Serbisë.

“Nuk bëhet me margarinë, nuk bëhen me sheqer të bardhë, kemi vlera ushqyese në ëmbëlsira, edhe pse janë ëmbëlsira, prapq kanë vlera ushqyese, sepse bëhen me arrë, me cokollada, me lajthi, badem”.

“Të gjitha produktet janë tonat, vendore. Asnjëherë nuk i marrim, as në shtëpi, as këtu që jemi tu e bë punën tonë të shenjtë që edhe përmes ëmbëlsirave me marrë vlera ushqyese sepse klienti i jonë më i madhi, kryesori është fëmiu”.

Mehreme Prebreza, agjente e shitjes, në kompaninë e kafes “Prince”, ka thënë se duhet të vetëdijësohen qytetarët që të mos konsumojnë produkte që vijnë nga Serbia, për shkak se sipas saj kjo e dëmton shtetin.

“Është shumë e rëndësishme, pasi që janë produkte vendore dhe njëherit edhe vetë konsumatorët të vetëdijësohen që me mujt me marrë sa më shumë produkte vendore, se është edhe në të mirën e vendit tonë”.

 

 

Lexo më shumë:

Të ngjashme