AKB: Rritja e pagës minimale ruan fuqinë punëtore dhe rrit ekonominë e Kosovës

Prishtinë | 05 Pri 2022 | 13:47 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rritja e pagës minimale në 250 euro, do të kishte rritje të ekonomisë vendëse, ndërsa më shumë se 35 milionë do t’i kthehen shtetit. Kështu tha kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, raporton Ekonomia Online.

Në konferencën e organizuar nga AKB-ja me temën “Paga minimale dhe efekti i saj në ekonominë e Kosovës”, Shahini tha se paga minimale në Kosovë është me e vogla në Ballkanin Perëndimor dhe si e tillë ajo duhet të lëvizë lëviz drejt rritjes.

“Të gjithë parametrat tregojnë që paga minimale duhet të rritet. Në Kosovë janë të kategorizuar punëtorët që marrin paga minimale 130 dhe 170. Ne e vlerësojmë se paga minimale dhe rritja e saj në Kosovë nëse bëhet vetëm 250 euro efekti në ekonomi do të jetë 180 milionë euro. Nëse këto para futën në qarkullim  më shumë se 35 milionë do t’i kthehen shtetit. Për fat të keq janë disa kategori që bazë e kanë pagën minimale. Vetëm disa ditë më herët siç kemi parë mbi 200 mijë punëtorë kërkojnë viza pune për të dal jashtë vendit”, tha Shahini.

Profesori i Ekonomisë, Musa Limani, tha se krahas pagës minimale, në Kosovë është edhe papunësia e madhe, për të cilën thotë se shifrat e papunësisë nuk janë reale, ndonëse ato i jep ASK-ja. Ai thotë se mbi 40 për qind ka një papunësi të fshehtë.

“Si burim për buxhetin familjar pjesa dërmuese është paga dhe marrëdhënia e punës. Paga paraqet një burim kryesor dhe niveli i saj bazohet në forcat prodhuese. Kah zhvillimi i nivelit Ekonomik Kosova hyn në vendet më të pazhvilluara në Evropë. Paga përcaktohet nga niveli i zhvillimit ekonomik dhe niveli i çmimeve. Fuqia blerëse tek ne në Kosovë është jashtëzakonisht e vogël”, tha Limani.

“Kur krejt kësaj i shtohet papunësia e madhe. Nuk është reale norma e papunësisë sado që e jep agjensioni i statistikave. Unë mendoj se është shumë më e lartë. Unë mendoj se është mbi 40 për qind. Kemi një papunësi latente(të fshehtë).

“Paga minimale për mua me të vërtetë është e pajustifikueshme. Unë nuk e di ku e kanë marrë këtë model të pagës minimale që shtohet në bazë të grupmoshave. Unë e shohë diskriminim çështjen e ndarjes me kriterin e moshës. Shporta e jetës është e njëjtë”, tha ai.

Kurse eksperti tjetër i Ekonomisë, Jakup Bellaqa, e vlerëson si të domosdoshme rritjen e pagës minimale. Ai thotë se me rritjen e pagës minimale rritet dhe standardi jetësor.

“Me rritjen e pagës minimale e rritin fuqinë blerëse dhe e ruajnë fuqinë punëtore. Paga minimale nënkupton minimumin jetik e minimal jetësorë. Paga minimale duhet të rritet se me pagën minimale rritet standardi jetësor. Një nga kriteret pse duhet të rritet paga minimale është edhe rritja ekonomike, dhe ne rritjen ekonomike rritet paga minimale. Paga minimale duhet të jetë sipas rajonit. Një nga kriteret kryesore që mendoj që është kriter bazë. Maqedonia e Veriut e ka miratuar më herët, Shqipëria, Mali i Zi, dhe për këtë duhet të shkojmë sipas rajonit”, u shpreh Bellaqa.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka hedhur dyshime se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura (BSPK) bashkë me Qeverinë po bëjnë lojëra në prapavijë.

“BSPK-ja ka një komision i cili bënë pjesë në këshillin ekonomiko social. Në këtë komision që është në Qeverinë e Kosovës janë njerëz jo profesionist. Janë njerëz të cilët nëse i pyet çka është paga minimale nuk e din. Ne e kemi njoftu opinionin se çdo vendim i marrë nuk është valid. Kam një dyshim se BSPK bashkë me Qeverinë po bëjnë lojëra në prapavijë. Ne tani ndoshta me veprimet qe po i bënë Qeveria më mirë do ishte të mos hynte në këtë mes fare”, tha ai.

Ish-nënkryetari i BSPK-së, Alush Sejdiu, ka thënë se paga nën 400 euro nuk e zgjedh dot problemin në Kosovë.

“Përcaktimi për pagën minimale sipas moshës është bërë me një udhëzim administrativ nga Qeveria dhe kështu ka mbet prej vitit 2012. Qysh në vitin 2017 e kemi shfuqizuar këtë vendim. Kemi 4 kritere që nëse bazohemi në to paga minimale del 600-700 euro. Mendimi im është se paga nën 400 euro nuk e zgjedh problem. ”, tha Sejdiu.

Lumnie Hajdini, drejtore Menaxhuese e AKB-së, tha se të vetmit që nuk e kanë miratuar pagën minimale në mbledhjen e fundit të komisionit ishin sindikatat.

“Të vetmit që nuk e kanë votuar pagën minimale kanë qenë përfaqësuesit e sindikatave. Paga minimale ka mbetur peng i sindikatave të Kosovës.
264 euro është paga minimale që është propozuar dhe nuk është votuar nga BSPK-ja”.

Ndërsa ekonomisti Mustafa Kadrija shtoi se kanë qenë shumë të zëshëm që paga minimale të jetë 350 euro.

“Unë vazhdimisht kam mbrojtur pagën minimale 350 euro, sepse ky është minimumi. Kostoja e jetës të secilit qytetar të vendit, pavarësisht a është i punësuar apo jo, është përkeqësuar sidomos nga dy tronditjet që i ka marrë vendi: Pandemia dhe kriza globale e krijuar nga lufta e fundit në mes Rusisë dhe Ukrainës”.

Ai teksoi se Qeveria e Kosovës aktualisht nuk ka strategji se si t’i qaset një situate të tillë.

Të ngjashme