AKK-ja i bashkohet autoriteteve të tjera, suspendojnë Rusinë nga pjesëmarrja në Rrjetin Ndërkombëtar të Konkurrencës

Prishtinë | 04 Mar 2022 | 15:19 | Nga Ekonomia Online

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka mbështetur thirrjet e një numri të autoriteteve të tjera të konkurrencës, përfshirë edhe atyre të vendeve të BE-së, për ta suspenduar Rusinë nga pjesëmarrja në Rrjetin Ndërkombëtar të Konkurrencës (International Competition Network, ICN).

Kërkesat drejtuar organeve drejtuese të këtij rrjeti për të ndërmarrë masa ndaj Rusisë kanë nisur pas fillimit të agresionit të Rusisë ndaj shtetit të Ukrainës.

Kësaj thirrje i ishte bashkuar edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, duke e dërguar një e-mail mbështetës tek anëtarët e këtij rrjeti. Drejtori i Përgjithshëm i AKK-së, Sakip Imeri, ka thënë se vetë Kosova ka kaluar nëpër një luftë andaj zhvillimet e fundit në Ukrainë kanë krijuar shqetësim
të jashtëzakonshëm tek qytetarët e Kosovës.

“Në emër të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, si anëtar me të drejta të plota në Rrjetin Ndërkombëtar të Konkurrencës, përkrahim thirrjen e bërë nga drejtuesit e autoriteteve të konkurrencës të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian për ta suspenduar Rusinë të jetë pjesëmarrëse në ICN. Uroj të kemi rastin që të takohemi në ngjarje ku do të diskutojmë për të thelluar konkurrencën e drejtë në vendet tona”, thuhet në e-mailin që Imeri ka dërguar tek anëtarët e këtij Rrjeti.

ICN është një rrjet në të cilin bëjnë pjesë rreth 140 autoritete të konkurrencës nga mbarë bota. Në vegëzën e mëposhtme gjeni të plotë njoftimin e ICN.

Të ngjashme