AKMM: “Kosova e Re” nuk shkakton ndotje të ajrit

Prishtinë | 19 Jan 2018 | 14:57 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AKMM), Ilir Morina, tha se ndotja e ajrit nga termocentrali “Kosova e Re” do të jetë në suaza normale, raporton Ekonomia Online.

Këto komente ai i bëri gjatë raportimit në komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor.

“Për here të parë është ngritur efiçienca e prodhimit të energjisë të shfrytëzimit të lëndës dhe janë matë parametra të ndotjes më të forta që është ndërtuar ndonjë termocentral deri më tani në Evropë. Secili këshilltarë i transaksionit edhe amerikan edhe anglez edhe gjerman ma vonë nuk ka lëshuar pe në këtë pikë do të thotë, për mjedisin termocentrali i ri do të jetë në suaza të normave të lejuara edhe për 30 vite e që parashihet me u zvogëluar ato norma çdo vit. Na e kemi paramenduar që në 2030 do të zvogëlohet në 30 mikrogram”, tha ai.

Gjithashtu ai prezantoi raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017. Parametrat e ndodhjes së ajrit kanë kaluar dyfishin tha Morina, duke shtuar se cilësia e ujit të ojesë në vend është e mirë, por që gjendja e lumenjve është alarmante.

“Sa i përket cilësisë së ajrit konstatohet se tejkalimet janë të shpeshta, nëse 35 ditë janë të lejuara për tejkalimin e partikulave pm 10 dhe pm 2.5 gjatë vitit, vitin e kaluar kemi pas mbi 70 ditë tejkalime që i bie është mbi dyfishin e tejkalimeve. Sa i përket ujërave, cilësia e ujërave mund të vlerësojmë që ka trende të rritjes së ndikimit në cilësinë e ujit mirëpo ndikimi i mungesës së trajtimit të ujërave të zeza sidomos bënë që rritja e vlerave të shpenzimit kimik të oksigjenit edhe ai biologjik të jenë të larta që i bie që lumenjtë e Kosovës janë të ndikuara edhe nga faktorët kimik, por edhe nga ndotjet biologjike”.

“Bazuar në rezultatet e monitorimit të ujit të pijes të kryera nga qendra e ujit të Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik, ju e dini që uji i pijes monitorohet, konform përgjegjësive që ka kjo qendër, cilësia e përgjithshme e ujit të pijes që u ofrohet konsumatorëve në 44 zona të furnizimit është 99.2% në përputhshmëri me vlerat parametrike-mikrobiologjike ndërsa 98.0% në përputhshmëri me vlerat kimike”, tha ai.

Ndërkaq anëtari i komisionit deputeti, Salih Salihu tha se gjendja e mjedisit është më shqetësuese se të dhënat nga raporti.

“Ju jeni shumë të shqetësuar se ambienti është shumë keq, sepse rekomandimet po tregojnë se gjendja është shumë më keq se sa ju që keni raportuar. Unë nuk e di sa janë të sakta këto të gjetura rreth matjes që e keni bë për shkak se në rekomandim po thuani se na duhet neve inventarë për monitorimin në kohë reale të këtyre misioneve por edhe të ndotjes së ambientit në përgjithësi. në terren po më duket se gjendja është shumë e rëndë sidomos e pyjeve, lumenjve dhe tokave bujqësore sepse po e marrim shembull tokën bujqësore, asnjë inspektor nuk është në kuadër të ministrisë së bujqësisë që i mbron tokat bujqësore”, tha ai.

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri tha se duhet të ndalohen njerëzit të cilët dëmtojnë ambientin.

“Ne e dimë të gjithë që ambienti ka kosto shumë të lartë dhe natyrisht ne jemi një shtet i varfër megjithatë së paku ne duhet të sanksionojmë njerëz të cilët e dëmtojnë pa të drejtë ambientin ndërsa për të investuar, atëherë kur kemi mjete duhet të investojmë”, tha ajo.

Të ngjashme