AKP shpall shitjen e aseteve në likuidim – SHAL 59

Prishtinë | 16 Sht 2022 | 15:03 | Nga Ekonomia Online

Agjencia Kosovare e Privatizimit shpall Shitjen e Aseteve me Likuidim SHAL 59, e cila përfshinë një numër prej 31 asetesh atraktive në të gjitha rajonet e vendit.

Në rajonin e Prizrenit, në komunën e Prizrenit, Rahovecit dhe Dragashit, ofrohet numri më i madh i pronave për shitje, përkatësisht parcela tokë me sipërfaqe të ndryshme (deri në pesë hektarë), si dhe lokale të sipërfaqeve të ndryshme të përshtatshme për zhvillim të veprimtarive biznesore.

Në rajonin e Pejës kjo shitje ofron për tenderim 9 asete të parcelave bujqësore (me sipërfaqe të mëdha deri në tetë hektarë) me potencial zhvillimi agro-industrial të shtrira në komunat e Gjakovës, Klinës dhe Istogut. Lokale me sipërfaqe të ndryshme ofrohen në qytetin e Mitrovicës, përkatësisht 6 lokale të përshtatshme për zhvillim të veprimtarive afariste. Në rajonin e Prishtinës ofrohen 3 asete, ku përfshihen një lokal në qytetin e Prishtinës, në lagjen Dardania me sipërfaqe prej 116 m2, asetet e Gurëthyesit në Gadime, përkatësisht zyra dhe objekti i depove në sipërfaqe prej mbi 260 m2 si dhe toka me sipërfaqe prej 4350m2 në Pakashticë të Epërme.

Shpallja publike për Shitjen e Aseteve 59 është bërë sot me 16 shtator 2022, ndërsa dorëzimi i ofertave për asetet e ofruara në këtë shitje bëhet me datë 5 tetor 2022, në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand” në Prishtinë, nga ora 10:00 deri në orën 12:00. Hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30.

Gjatë kësaj periudhe palët e interesuara e kanë mundësinë që të marrin informata më të hollësishme si dhe t’i vizitojnë për së afërmi pronat e ofruara për shitje duke kontaktuar AKP-në, Njësinë për Marketing dhe Marrëdhënie me Investitorë, Rruga “Dritan Hoxha Nr.55”, 10000 Prishtinë, Kosovë.

Të ngjashme