AKP transferoi ndërmarrjen “Kosovatrans” te Komuna e Malishevës

Prishtinë | 05 Tet 2016 | 17:04 | Nga

Agjencia Kosovare e Privatizimit nënshkruajti sot marrëveshjen e bashkëpunimit me komunën e Malishevës për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve në lidhje me asetet e NSh “Kosovatrans”-Njësia në Malishevë.

Drejtori menaxhues i AKP-së, Ekrem Hajdari i shoqëruar nga dy zëvendës drejtorët, Valbona Dibra dhe Avni Jashari, ia dorëzuan marrëveshjen për transferimin e kësaj ndërmarrje kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj me ç’rast u mbajt edhe ceremonia e pranim dorëzimit të ndërmarrjes “Kosovatrans” nga autoriteti i AKP-së tek autoriteti i Komunës së Malishevës.

Marrëveshja e nënshkruar rregullon bashkëpunimin lidhur me transferimin e aseteve dhe detyrimeve të ndërmarrjes shoqërore “Kosovatrans” në Prizren, Njësia Punuese “Stacioni i Autobusëve”, në Malishevë nga administrimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit tek Komuna e Malishevës, ashtu siç është përcaktuar me nenin 4 të Rregullores Nr. 02/2013 të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi kriteret për krijimin e ndërmarrjeve publike dhe pjesëmarrja e Komunave në Bordet e Drejtorëve.

Marrëveshjes në fjalë i ka parapri kërkesa formale nga ana e Komunës së Malishevës e datës 9 shkurt 2016, për transferimin e ndërmarrjes shoqërore “Kosovatransi” nën autoritetin e Komunës, ndërsa Bordi i Drejtorëve i AKP-së në mbledhjen e mbajtur me datë 26 maj 2016 e ka aprovuar nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të AKP-së dhe Komunës së Malishevës në lidhje me transferimin e aseteve të NSh “Kosovatrans-Njësia/Stacioni i autobusëve në Malishevë tek Komuna e Malishevës, në bazë të Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike (nr.04/L-111).

“Kosovatrans”, ka qenë e regjistruar si ndërmarrje shoqërore, mirëpo në vazhdimësi ka kryer funksione në interes publik të qytetarëve.

Transferimin i kësaj ndërmarrje nga autoriteti i AKP-së tek organet e Komunës është në pajtim me Ligjin e AKP-së, ku neni 5 paragrafi 2 mundëson që ndërmarrjet dhe asetet e tyre të barten në përgjegjësi dhe administrim të një organi tjetër publik, përmes një Rregullore ose Ligji që është në fuqi dhe që është shpallur nga një autoritet kompetent publik në Kosovë.

Të ngjashme