Alban Kastrati ligjëroi për studentët e Gazetarisë në temën “PR në Praktikë”

Prishtinë | 21 Maj 2019 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të modulit Marrëdhëniet me Publikun, studentët e Fakultetit të Komunikimit Masiv sot patën rastin të ndjekin një ligjëratë speciale, me të ftuar njërin nga menaxherët e në Republika Communications Agency dhe Sunny Hill Fesival, z. Alban Kastrati.

Kastrati, duke shpalosur përvojën e tij profesionale, studentëve u foli për rëndësinë e këtij profesioni shumë të kërkuar në të gjithë botën. Kastrati dha disa shembuj të cilët e bëjnë një person të PR-it të kërkuar në treg. Ai tha se marrëdhëniet me njerëzit dhe krijimi i kontakteve të reja është njëra ndër pikat kryesore. Ai gjithashtu përmendi edhe disa shembuj konkretë që e bëjnë një lajm të rëndësishëm kur ai publikohet në rrjetet sociale.

“PR ndahet në dy shtylla kryesore, komunikimi i brendshëm i kompanisë dhe ai i jashtëm me publikun. Çdo kompani duhet ta ketë të qartë vizionin e saj dhe atë se çfarë duam ta kemi të publikuar që ta shohin edhe publiku i jashtëm. Ajo çfarë e bënë të rëndësishëm një lajm të publikuar në rrjetet sociale është mënyra se si shkruhet lajmi dhe si plasohet tek publiku i jashtëm”, tha Kastrati.

Një storje të suksesit, jo vetëm të kompanisë por edhe të PR në vend, Kastrati e ka quajtur festivalin “Sunny Hill”, për të cilin ka folur se si është organizuar dhe cilat kanë qenë teknikat e veglat që janë përdorur për arritjen e suksesit ndërkombëtar. Ligjërata ishte interaktive, ndërsa studentët u interesuan për shumë çështje sa i përket kësaj veprimtarie.

Në fund Kastrati i porositi studentët se për të bërë PR të suksesshëm duhet të jesh i qasshëm, komunikues dhe ta njohësh mirë natyrën e punës.

Ai u sugjeroi atyre që të angazhohen edhe në punë vullnetare, pasi kjo i ndihmon në zhvillimin e aftësive komunikuese dhe menaxhuese, duke shtuar se duke qenë pjesë e aktiviteteve të shumta si të rinj ndihesh konfident për të aplikuar në kompani të ndryshme.

Të ngjashme