Aliu: Synojmë që brenda dekadës qarkullimi i mallrave të bëhet përmes transportit hekurudhor

Prishtinë | 03 Mar 2022 | 15:54 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se synojnë që gjatë dekadës së ardhshme, qarkullimi i mallrave ndërkombëtare, nga dhe për në Kosovë, të bëhet përmes transportit hekurudhor.

Këtë deklarim ai e bëri gjatë publikimit të raportit “Transporti rrugor ndërkombëtar i mallrave” në Kosovë, organizuar nga Oda Ekonomike Gjermane-Kosovare (OEGjK), raporton Ekonomia Online.

“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të punojë seriozisht që infrastruktura e vendit dhe qarkullimi i mallrave të jetë sa më i lirshëm. Edhe ne planifikojmë që gjatë dekadës që vjen të kalojmë në transportin hekurudhor”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, kompanitë e transportit hasin në probleme dhe se kërkesat janë të përditshme.

“Po besoj qe do të kemi situata të mira dhe shumë prej këtyre problemeve do të shmangen me marrëveshje bilaterale. Ne po bëjmë përpjekje që të krijojmë marrëveshje me Maqedoninë e Veriut, por nuk ndodhi kjo. Edhe në raport me Turqinë po besoj që do të shohim një marrëveshje në letër”.

“Sa i përket bilancit tregtar, është shkaktari kryesor që e shkakton këtë dëm. Përderisa në raport me Shqipërinë, autostrada e ka ndryshuar transportin dhe nëse infrastruktura e Kosovës përmirësohet, atëherë porti i Durrësit do të jetë për transport”, ka thënë Aliu.

Ministri Aliu përshëndeti hartimin e raportit, ndërsa theksoi se ai do t’i shërbejë edhe ministrisë.

Në tryezën e organizuar me këtë rast, u diskutua për sfidat dhe mundësitë e sektorit të transportit në Kosovë.

Në fjalën e saj, Nora Hasani, drejtoreshë Menaxhuese e OEGjK-së, theksoi rëndësinë që kjo organizatë i kushton avancimit të sektorit të transportit.

Udhëheqësi i klasterit për Transport dhe Logjistikë në kuadër të OEGJK-së, Besir Çmega, potencoi disa nga barrierat me të cilat përballet ky sektor dhe njëherit në emër të klasterit ofroi mbështetje për politikëbërësit e Ministrisë së Mjedisit në hartimin e politikave të reja për këtë sektor.

Ai shtoi se këtë çështje do ta rregullonte ligji mbi transportin e mallrave. “Ky sektor ka mjaft mundësi, por neve na duhet përkrahje. Deri vonë Ministria nuk ka qenë bashkëpunuese”.

Naim Huruglica nga kompania “Iron Consulting”, e kontraktuar nga OEGJK për përgatitjen e këtij raporti, prezantoi të gjeturat dhe rekomandimet.

Të ngjashme