Ambasada e SHBA-së përkrah fuqishëm pavarësinë institucionale të Agjencisë së Akreditimit

Prishtinë | 15 Qer 2020 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari për Marrëdhënie me Publikun i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. RayNayler, gjatë një takimi me drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), të hënën, ka premtuar vazhdimin e përkrahjes së plotë për transparencën dhe pavarësinë institucionale të AKA-së.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara e përkrah plotësisht transparencën dhe pavarësinë institucionale të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Puna e këtij institucioni është vitale për arsimin e lartë në Kosovë, ndërsa çdo ndërhyrje politike në punën e AKA-së është e papranueshme”, ka thënë Nayler, i cili në këtë takim shoqërohej nga Remzije Potoku, specialiste e arsimit të lartë.

Drejtori Naim Gashi ka falënderuar Ambasadën Amerikane e cila që nga themelimi i Agjencisë ka dhënë kontribut financiar dhe ekspertizë teknike për zhvillimin e këtij institucioni.

Gashi ka thënë se mirëpresin financimin e fundit të projektit të Ambasadës së SHBA-së, e cila adreson nevojat imediate të Agjencisë së Akreditimit për kthimin e anëtarësisë në Asociacionin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), por njëkohësisht edhe për forcimin e kapaciteteve tona institucionale.

“Edhe pse në kohë pandemie, kur gjithë bota pothuajse ishte e izoluar, për t’ju dalë në ndihmë institucioneve të arsimit të lartë, komunitetit akademik dhe studentëve, me angazhimin e ekspertëve eminentë ndërkombëtarë, ne kemi realizuar me shumë sukses vlerësimin në distancë. Deri më tani kemi përfunduar vlerësimin e 14 institucioneve të arsimit të lartë, ndërsa rezultatet jemi duke i pritur nga ekspertët ndërkombëtarë, të cilat pritet të jenë pjesë e vendimmarrje në Këshillin Shtetëror të Cilësisë më 25 dhe 26 qershor”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se me vendim të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), tani ka filluar procesi i akreditimit të programeve studimore.

Në këtë takim, zyrtarët e lartë të AKA-së, IlirjanaAdemaj-Ahmeti dhe ShkelzenGërxhaliu, kanë dhenë detaje për procesin e akreditimit dhe zbatimin e projekteve që kanë për qëllim të rrisin cilësinë në arsimin e lartë në Kosovë.

Drejtori i AKA-së ka thënë se me kapacitetet që posedon Kosova dhe me përkrahjen nga Ambasada Amerikane dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, do të nxitet rritja e cilësisë në arsim dhe ndërlidhja e sistemit arsimor me nevojat e shoqërisë, shtetit dhe ekonomisë.

Të ngjashme