Ambasadori Minxhozi i pakënaqur me marrëveshjet e arritura Kosovë-Shqipëri

Prishtinë | 02 Dhj 2018 | 08:01 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Java që po lëmë pas filloi me një ndër ngjarjet më të rëndësishme në vend, me mbledhjen e dy qeverive, atë të Kosovës dhe Shqipërisë.

Mbledhja u karakterizua me nënshkrim të marrëveshjeve të cilat u thanë se kanë impakt pozitiv në jetën e qytetarëve të dy vendeve.

Në këtë mbledhje u nënshkruan 9 marrëveshje në fusha të ndryshme duke filluar  nga njohja reciproke e patentë shoferëve, heqja e tarifave të shërbimeve roaming etj.

Mirëpo Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i tha Ekonomia Online se mbledhja e dy qeverive është hap pozitiv për ekonominë e dy vendeve.

Ndërkaq potencoi se nuk është i kënaqur vetëm me këto marrëveshje të arritura pasiqë sipas tij, të dyja vendet kanë mundësi për më shumë.

“Mbledhja ka pasur si fokus kryesor ka pasur problemin e ekonomisë. Kemi një balancë pozitiv shkëmbimesh mes Shqipërisë dhe Kosovës, që është shumë e rëndësishme dhe ajo që na gëzon është që sivjet kemi shkëmbimin më të lartë gjatë këtyre viteve, këtyre marrëdhënieve”.

“Mund të arrijmë deri në 230 milionë euro në fund të vitit që është një shifër e konsiderueshme, por që ne prapë se prapë nuk jemi të kënaqur, sepse kemi mundësi shumë më tepër”, tha ai, raporton Ekonomia Online.

Kurse Valon Murati, ish-ministër i Diasporës, pati vërejtje për cilësinë e realizimit të marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve.

Pasi që sipas tij, shpejtësia dhe cilësia e zbatimit  të marrëveshjeve nuk është në nivelin e duhur, raporton EO.

Është një hap i mirë mbajtja e këtyre mbledhjeve, është shumë më mirë që mbahen se mos të ish mbajtë. Ne do të kishim shumë më shumë probleme pa këto mbledhje të dy qeverive. Sigurisht këto mbledhje janë duke e arrit një maksimum të mundësive të tyre, tash duhet të kalohet në një hap më cilësor, domethënë duhet ta kapërcejmë këtë nivel të marrëdhënieve sepse ashtu siç të gjithë jemi të vetëdijshëm”.

“Kemi edhe vërejtje për nivelin e cilësisë të realizimit të shumë prej këtyre marrëveshjeve, ndonjëherë edhe për vetë cilësinë e marrëveshjeve, ndonëse ka marrëveshje që kanë filluar të zbatohen, ka që kanë lehtësuar jetën e qytetarëve, por shpejtësia, cilësia e zbatueshmërisë së tyre duhet të jetë shumë e madhe dhe thellësia e integrimit mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jetë shumë më e madhe se sa që është kjo tash”.

Murati, që është edhe kryetar i Lëvizjes për Bashkim, thotë se është jashtëzakonisht e nevojshme të krijohen mekanizma të përbashkët, për shqyrtimin e zbatimin e marrëveshjeve.

“Mendoj që duhet të bëhet një hap cilësor, me këtë mbledhje të qeverive tash është bërë një hap, është emërua një koordinator i cili do të përcjellë zbatimin e marrëveshjeve, por edhe kjo është e pamjaftueshme. Është jashtëzakonisht e nevojshme që ne të krijojmë mekanizma të përbashkët, duke i marrë modelet më të mira të vendeve që janë integruar”, tha ai.

Deri më tani dy qeveritë ajo e Kosovës dhe Shqipërisë kanë mbajtur 5 mbledhje dhe janë arritur mbi 50 marrëveshje. Disa prej tyre kanë gjetur zbatim, disa kanë ngecur e disa janë përsëritur nga mbledhja në mbledhje.

Të ngjashme