Ambasadorja Çitaku viziton Odën Amerikane

Prishtinë | 15 Gus 2016 | 22:28 | Nga

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë priti sot Vlora Çitaku, Ambasadore e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara për një diskutim dhe rishqyrtim të perspektivave politike, ekonomike dhe sociale, si dhe për potencialet e saj për tërheqjen e investimeve të huaja.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, vlerësoi pozitivisht vizitën e Ambasadores për të diskutuar mbi çështjet me rëndësi për zhvillimin ekonomik në Kosovë, duke prezantuar kështu edhe aktivitetet dhe iniciativat e mundshme të Odës Amerikane me qëllim të krijimit të një marrëdhënie të fuqishme tregtare me Evropën dhe SHBA-në, e cila do të krijonte kapacitete të reja në treg dhe do të ulte nivelin e papunësisë. Zeka argumentoi se Oda Amerikane mbetet optimiste për perspektivat e të bërit biznes në Kosovë, të cilat do të rriteshin edhe më tepër, nëse ligje të caktuara do të implementoheshin, veçanërisht Ligji për Investime Strategjike dhe Ligji për Kamatëvonesa në Transaksionet Tregtare, projektligjin e së cilës Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë dy javë më pare, por që ende pritet të implementohet në tërësi.

Vlora Çitaku, Ambasadore e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara, shprehi vlerësimin e saj për përpjekjet dhe punën e palodhshme të Odës Amerikane për të shtyrë vazhdimisht iniciativat e politikave që kanë për qëllim përmirësimin e ambientit të të bërit biznes për investitorët vendor dhe të huaj. Duke argumentuar në raport me investimet e huaja, Çitaku theksoi edukimin si faktor kyç në Kosovë, të cilin e konsideron si pengesë për investitorët e huaj, duke shtuar se Kosova ka shumë nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar dhe të arsimuar, në mënyrë që të tërhiqen ata investitorë që kanë mundësi të krijojnë vende të reja të punës dhe të krijojnë rritje afatgjatë të ekonomisë. Në fund, Çitaku u shpreh e hapur për bashkëpunim me Odën Amerikane në përpjekje për nxitjen e zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Të ngjashme