Anketa e fuqisë punëtore në Kosovë

Prishtinë | 18 Qer 2018 | 15:45 | Nga

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e parë (TM1) 2018.

Anketa ka pasur shtrirje në 598 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar

3.531 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011. Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese.

Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 39.2%.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë (TM1) 2018 është 28.8%.

Punësimi më i lartë është te meshkujt (45.5%), ndërsa punësimi te femrat është 11.8%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 51.2% të tyre. Ndërsa, meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe të prodhimit, me 42.4%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 17.2%; ndërtimtaria me 11.7%; arsimi me 11.5%, si dhe prodhimi me 10.1%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 18.9% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 81.1% kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2018, shkalla e papunësisë është 26.5%.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 28.7%, krahasuar me meshkujt, 25.9%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 54.0%.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2018, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 60.8%, me fokus të veçantë te femrat me 83.4%, krahasuar me meshkujt, 38.6%.

Për realizimin e AFP-së, TM1 2018, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme