Ankohen punëtorët: Qeveria po vazhdon me trendin e jashtëligjshëm, shteti në kolaps

Prishtinë | 21 Qer 2020 | 09:16 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sektori privat gjatë pandemisë është përballur me humbje të mëdha, mbi 30 mijë persona mbetën pa punë e shumë të tjerë nuk u paguan.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, Jusuf Azemi, në një intervistë për Ekonomia Online,  ka folur në lidhje me gjendjen e punëtorëve në sektorin privat dhe kategoritë më të rënduara ekonomikisht për shkak të përhapjes së pandemisë Coronavirusit.

Sipas Azemit, Qeveria e Kosovës është dashur që pagën e dytë të punëtorëve ta ekzekutojë në fund të muajit maj.

Ai tha se edhe kjo Qeveri po vazhdon me trendin e jashtëligjshëm.

“Po përfundon edhe muaji i katërt që kemi filluar me pandeminë dhe është dashur që edhe buxheti për rimëkëmbjen ekonomike të shpërndahet, ku as faza e parë nuk ka arritur të përfundojë për shkak të mospërgjegjësisë së Qeverisë së Kosovës”.

“Sipas vendimit që ka Qeveria e Kosovës paga e dytë e punëtorëve për Covid-19 është dashur të ekzekutohet në fund të muajit maj dhe ne jemi në fund të muajit qershor dhe ende nuk ka përfunduar faza e parë. Edhe kjo Qeveri po vazhdon me trendin e jashtëligjshëm sikurse Qeveria e mëhershme sepse ne si sindikatë kemi njoftuar opinionin se janë bërë keqpërdorime në ndarjen e mjeteve. Dhe ne prapë po thërrasim qeverinë uluni dhe shikoni gabimet që janë bërë nga e kaluara”, shtoi Azemi.

Mes tjerash, Azemi ka thënë se mbi 20 mijë punëtorë të sektorit privat nuk kanë marrë as pagën e parë nga Qeveria.

Ai tregoi se mbi 8 milionë euro janë keqpërdorur nga pronarët e kompanive private duke shkuar pagat në llogari të tyre dhe jo punëtorëve.

Sipas tij, çdo ditë punëtorët në sektorin privat po humbin vendin e tyre të punës.

“Punëtorët e sektorit privat janë të zhgënjyer sepse kemi mbi 20 mijë punëtorë të sektorit privat që nuk kanë marr as pagën në fazën e parë aq më keq një shumë bukur e madhe kanë shkuar në llogaritë e punëtorëve. Kemi kompani që nga zeroja deri në fund kanë shkuar në llogari të pronarëve dhe nuk kanë shkuar në llogari të punëtorëve”.

“I kemi njoftuar të gjitha institucionet dhe prokurorinë që neve po na bënë të dyshuar që edhe kjo qeveri do të vazhdojë trendin e qeverisë së mëhershme për keqpërdorimin e mjeteve. Ka mbi 8 milion euro që janë keqpërdorur dhe ne kemi fakte. Kemi çdo ditë punëtorë që vijnë këtu dhe po e humbin vendin e tyre të punës sepse  jemi shumë të paorganizuar për të mbrojtur këtë fuqi ekonomike që e kemi”, shtoi Azemi.

Sipas tij, punëtorët po frikësohen t’i shprehin shqetësimet e tyre sepse mund të largohen prej punës nga pronarët e tyre, duke shtuar se shteti është në kolaps.

“Kemi marrë të gjitha veprimet dhe kemi filluar të protestojmë si në Gjilan dhe në shumë komuna të tjera lidhur me keqpërdorimin e mjeteve që kanë bërë pronarët e kompanive por sigurisht rrezikmshëri e vendit të punëtorëve për vendin e punës”.

“Në momentin që kryhet tubimi pronarët e kompanive thërrasin punëtorët dhe i largojnë nga puna. Andaj punëtorët thonë se më mirë të punojnë pa dy tri paga që i ka ndarë Qeveria sesa të mbesim pa punë. Shteti është në kolaps”, shtoi ai.

Azemi ka thënë se kanë dërguar kërkesë te kryeministri, dy zëvendëskryeministrat dhe ministri i Financave, mirëpo ende janë në pritje për një bashkëbisedim në lidhje me zgjidhjen e problemeve që kanë.

“Ne kemi bërë kërkesë për takim me kryeministrin dhe dy zëvendëskryeministrat dhe ministrinë e Financave dhe jemi në pritje për një bashkëbisedim, në mënyrë që të zgjidhen këto probleme që i kemi dhe kemi kërkuar që nëse nuk ftohemi ju si Qeveri jeni në një paralelizëm i pranimit të keqpërdorimit që janë bërë në të kaluarën”, shtoi Azemi.

Të ngjashme