ARKEP: Kodi +383 nga qershori 2018 i vetmi në përdorim

Prishtinë | 02 Nën 2017 | 16:25 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, ka bërë të ditur se kodi shtetëror i telefonisë +383, do të implementohet krejtësisht deri në qershor të vitit 2018.

“Me implementimin e kodit +383, deri në qershor të vitit 2018  do të largohet kodi +381”, ka thënë Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të ARKEP-it, raporton Ekonomia Online.

Gashi i bëri komentet para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal të Kuvendit të Kosovës, gjatë prezantimit të raportit të punës për vitin 2016 këtij institucioni.

Sipas Gashit, ARKEP ka luajtur rolin si autoritet i pavarur. “Ne nuk e konsiderojmë veten si instrument i qeverisë”, tha Gashi.

Sa i përket marrëveshjes për kodin telefonik +383 e cila ishte arritur në bisedimet e Brukselit, Gashi vlerësoi se ajo është në favor të Kosovës.

“Në rastin e kodit, ne kemi dhënë opinionin tonë dhe konsiderojmë që kjo marrëveshje është në favor të Kosovës”.

Gashi i dha shpjegimet pasi u pyet nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu.

Ai tha se thirrjet nga Serbia do të trajtohen si lokale dhe se ky është cenim i sovranitetit të vendit, por prek dhe sigurinë.

“Është fakt që kodi +381 për thirrje të Serbisë do të trajtohen si lokale dhe këtu është në pyetje çështja e sigurisë dhe sovranitetit. Pyetja është çfarë masash keni ndërmarr për t’u siguruar në zbatimin e misionit që keni”, u shpreh Sejdiu.

Ai kërkoi të dijë më shumë lidhur me operimin  Mobile Telecom Serbia në Kosovë dhe nëse operatorët e licencuar kosovarë operojnë në veri të vendit.

Gashi tha se shumë shpejt do ta mbulojnë edhe pjesën veriore. “Tek e drejta e VALA-së dhe IPKO-së për me operu në veri dhe si të tilla kanë të drejtë me operuar në çdo cep të Kosovës dhe kjo nuk ka asnjë dilemë. Kemi operator tjetër që është operatori serb MTS, i cili operon me kufizime dhe është shumë i limituar për sa i përket territorit dhe disa limiteve të tjera që ka”.

Memli Krasniqi, deputet i PDK-së, tha se nuk është e drejtë të kërkohet nga ARKEP sqarime lidhur me çështjet e kodit telefonik pasi sipas tij kjo ka qenë marrëveshje e Brukselit.

“Ai duke iu drejtuar anëtarëve të ARKEP-it tha se do të ishte mirë që ata të marrin parasysh rekomandimet e auditorit”.

Deputeti i VV-së, Dardan Molliçaj, tha se një prej problemeve është që anëtarët e bordit janë shumë politikë. “Tre prej anëtarëve të bordit të ARKEP-it janë thellësisht politikë”.

Por, Gashi tha se bordet janë profesionale dhe të pavarura. “Të gjithë ata që janë anëtarë të Bordit janë votuar nga Kuvendi i Kosovës”.

Edhe anëtarët e tjerë të Komisionit shtruan një varg çështjesh që kanë të bëjnë me këtë institucion. Me theks të veçantë, u kërkuan sqarime nga përfaqësuesit e ARKEP-it lidhur me projektet e realizuara, ankesat e konsumatorëve për shërbimet postare, të gjeturat e auditorit etj.

Mes tjerash, Gashi tha se vitin e kaluar kanë bërë 90 mijë euro investime kapitale.

Për shkak të mungesës së kuorumit, raporti u la të miratohet në mbledhjen e ardhshme të komisionit.

Të ngjashme