Arrihet marrëveshja mes Telekomit të Kosovës dhe Dardafon – zhbllokohen llogaritë

Prishtinë | 16 Nën 2020 | 18:16 | Nga Ekonomia Online

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se sot i janë zhbllokuar llogaritë, sikur thuhet “pas angazhimit të madh të bordit dhe manaxhmentit”.

“Ashtu siç kemi paralajmëruar ditë më parë se do të ketë një takim mes Telekomit dhe Dardafon dhe qeverisë ashtu edhe ndodhi dhe ky takim solli marrëveshjen me ndërmjetësim dhe garancion edhe nga qeveria e vendit”, thuhet në një njoftim të Telekomit, dërguar medieve në mbrëmje, pak orë pasi punëtorët e ish-ndërmarrjes dikur më profitabile protestuan para Qeverisë së Kosovës.

“Kjo marrëveshje për shlyerjen e borxheve ndaj Dardafon garanton funksionimin normal të korporatës pa pasur brengën se llogaritë mund të bllokohen dhe zbrazen përsëri”.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje Telekomi obligohet që brenda 24 muajve duke filluar nga 15 janari i vitit 2021 të shlyejë komplet borxhin ndaj Dardafon që është si rezultat i vendimit final të Gjykatës së Arbitrazhit dhe njohjes së këtij vendimi edhe nga gjykatat vendore.

Pas kësaj marrëveshjeje, Telekomi thotë se Bordi dhe menaxhmenti i saj, me përkrahjen e Qeverisë, do të nisin implementimin e planit për rimëkëmbje të Telekomit. “Brenda një afati tre vjeçar do të investohet në rrjet dhe çështje tjera me rëndësi të cilat ndikojnë në rritjen e vlerës së korporatës dhe stabilitetin financiar e teknik të kompanisë”.

Të ngjashme