ATK arkëtoi 220 milionë euro brenda 6 muajsh

Prishtinë | 12 Kor 2018 | 11:03 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur të mbledhë 27 milionë euro më shumë sesa në vitin e shkuar, për periudhën 6 mujore janar-qershor.

Tabela e realizimit të të hyrave, e cila është prezantuar sot nga ATK, tregon që për vitin 2018 nga tatimet janë arkëtuar 220 milionë euro.

Për të njëjtën kohë, një vit më parë, janë mbledhur 193 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri, tha se ATK ka arritur një progres mjaft të mirë çdo vit e më shumë dhe kjo është falë të gjithëve bashkëpunëtorëve në punën e ATK-së.

“Rezultati i mirë ka rritur progresin e ATK-së, të arriturat kanë qenë të mundura falë bashkëpunimit të donatorëve, të OJQ-ve, asociacioneve të ndryshme, bizneseve, shoqatat dhe partnerët e interesit. Këto janë arritur falë përkrahjes së Ministrisë se Financave dhe në emër të ATK-së dua të falënderoj secilin nga ju për kontributin që zhvilluat ATK-në në këtë nivel që është”, tha Imeri, raporton Ekonomia Online.

Imeri tha se anketat dhe raportet, që janë bërë nga komunat e ndryshme të Kosovës, kanë bërë që ATK të shohë progresin e saj më mirë dhe besueshmërinë e qytetarëve tek administrata.

“Jam i bindur që kemi punë për të bërë, por nuk duhet anashkaluar të arriturat me një vlerësim të lartë pozitiv që shihet qartë nga anketa e tatimpaguesve, nga raporti i Bankës Botërore, Raporti Monitorues i Fondit Kombëtar etj”, tha Imeri.

Administrata Tatimore e Kosovës ka mbajtur sot takim të përbashkët me palët e interesit dhe donatoret, me qëllim të prezantimit të zhvillimeve të fundit, si dhe aktiviteteve të tjera.

Ky takim, sipas ATK-së, është organizuar në këtë format, në mënyrë që përfaqësuesit e bizneseve të adresojnë kërkesat dhe shqetësimet e tatimpaguesve në prezencë të donatorëve, me mbështetjen e të cilave ATK ka zhvilluar projekte të qëndrueshme, të cilat i kanë mundësuar tatimpaguesve deklarimin dhe pagesën më të lehte të tatimeve, si dhe me kosto më të ulët, dhe duke eliminuar kështu procedurat burokratike.

Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, i cili9 mori pjesë në këtë takim, tha se ATK-ja çdoherë po përmirësohet më mirë dhe sipas tij Administrata Tatimore e Kosovës është një administratë, me të cilën duhet të krenohemi të gjithë për punën që bënë.

“Administriata Tatimore e Kosovës nga viti në vit po përmirësohet me performancën e ATK-së dhe shërbimin që ofrojnë. Kemi një administratë ku mundemi me u krenu sa i përket punës së tyre”, tha Gashi.

Gashi shtoi se Ministria e Financave po ndihmon sektorin privat dhe është e angazhuar të rrisë me shumë prodhimin vendor. Ai tha se Kosova duhet të eksportoj më shumë se sa të pranoj import.

“Ministria e Financave ka marrë masa dhe hapa për lehtësimin e sektorit privat dhe shërbimin sa më të mirë e sidomos të ndërmarrjeve prodhuese. Ne jemi të interesuar të rrisim më shumë prodhimin dhe ta rrisim importin e prodhimeve tona, në vendet e ndryshme më shumë, dhe të pranojmë mallra të huaja më pak”, tha Gashi, raporton Ekonomia Online.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin dhe përfaqësues nga FMN-ja, GIZ-i, Zyra e Bashkimit Evropian, USAID-i, Banka Botërorë, Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës, Prokuroria e Kosovës, ARBK, AKB, Oda Ekonomike Amerikane, ASK, Oda Ekonomike Turke, ShKCAK, Oda e Afarizmit të Kosovës, Shoqata e Naftëtarëve, Shoqata e Mullisëve të Kosovës etj.

ATK-ja i ka falënderuar të gjithë tatimpaguesit të cilët i kryejnë me kohë obligimet tatimore dhe i inkurajon tatimpaguesit që t’i deklarojnë dhe paguajnë tatimet që janë të përcaktuara me ligj.

Të ngjashme