ATK-ja dhe Zyra e të Hyrave Publike të Maqedonisë synojnë luftimin e ekonomisë joformale

Prishtinë | 10 Tet 2018 | 11:43 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Zyra e të Hyrave Publike e Maqedonisë kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi, i cili ka për qëllim shkëmbimin e përvojave, transferimin e njohurive dhe praktikave më të mira, përmirësimin e performancës së palëve, stimulimin e përmbushjes vullnetare tatimore, si dhe parandalimin, zbulimin dhe luftimin e evazionit tatimor në të dyja vendet.

Dy institucionet përmes arritjes së Memorandumit shpresojnë në promovimin e metodave të avancuara për mbledhjen e tatimeve, nëpërmjet transferimit të njohurive dhe përvojës në zbatimin e projekteve dhe aktiviteteve në fushat me interes të përbashkët,  dhe konfirmojnë vendosmërinë në respektimin e legjislacionit të të dyja palëve, në fushat e bashkëpunimit brenda fushëveprimit të kompetencave të institucioneve.

Drejtori i ATK-së, Sakip Imeri, theksoi se sot për dy institucionet është një ngjarje me rëndësi për të ardhmen, do të nënshkruhet një memorandum i bashkëpunimit në mes të këtyre dy institucioneve që do të jetë në funksion të fuqizimit edhe më të madh të kapaciteteve humane në ngritjen e përmbushjes tatimore.

“Marrëveshja ka qëllim thellimin e bashkëpunimit, Kosova ka marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë me Maqedoni është një marrëveshje që edhe jetësohet edhe me kërkesat që i kanë për informata qoftë pala e maqedonase apo kosovare është një marrëveshje funksionale që është në dobi të dy shteteve”, tha Imeri.

“Memorandumi që nënshkruhet i dedikohet ngritjes profesionale, bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, me qëllim më të mirë ngritjen e kapaciteteve për luftimin ekonomisë së hirtë dhe shkëmbimit të përvojave të mira mes dy palëve në një të ardhme që do jetë bazë e mirë nënshkrimi i këtij memorandumi”, shtoi Imeri.

Drejtoresha e Zyrës së të Hyrave Publike të Maqedonisë, Sanja Lukarevska, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit tha se do të punojmë për ngritjen e kapaciteteve në luftimin e ekonomisë jo-formale,  si dhe shkëmbimin e përvojave të tjera mes dy institucioneve.

“Jam e lumtur që jam këtu dhe dëshira e madhe e Maqedonisë është që të kemi bashkëpunim të mirë me institucionet tuaja dhe besoj që nuk do të ketë mangësi dhe është një fillim i mirë i bashkëpunimit të sigurt dhe shumë korrekt. Kemi probleme të ngjashëm edhe duhet të punohet që të provojmë me i zbut problemet ekomomike”.

Administrata Tatimore e Kosovës dhe Zyra e të Hyrave Publike te Maqedonisë kanë një bashkëpunim të mirë,  të vendosur  në të kaluarën dhe kultivimin e saj ne vazhdimësi. Bazë e këtij bashkëpunimi është shkëmbimi i përvojave të mira në fushën e tatimeve,  përfshirë këtu edhe objektivat që dalin nga integrimi në BE.

Kosova dhe Maqedonia kanë marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë në të ardhura dhe kapital, si dhe për luftimin e evazionit dhe shmangies tatimore, e cila ka shërbyer në fushën e shkëmbimit të informatave tatimore me qëllim të luftimit të evazionit dhe shmangies tatimore.

Të ngjashme