ATK-ja merr mbështetje nga O’Connell dhe Heldt në luftimin e ekonomisë joformale

Prishtinë | 14 Nën 2018 | 12:12 | Nga Medina Mehmeti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Ambasadën e Britanisë së Madhe, Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë dhe GIZ-in.

Me anë të këtij memorandumi synohet që të ofrohet ndihmë për ATK-në në ngritjen e kapaciteteve në fushën e raportimit financiar dhe analizës së pasqyrave financiare, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i ATK-së, Sakip Imeri, e cilësoi këtë ngjarje si shumë të rëndësishme për ATK-në. Imeri shtoi se ATK-ja është e gatshme t’i përkrah të gjitha iniciativat e Qeverisë, gjithnjë në funksion të lehtësimit të të bërit biznes në Kosovë.

“Sot për ATK është një ngjarje me rëndësi të veçantë nga fakti se nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi mes tri institucioneve. ATK është institucioni i vetëm i autorizuar për administrimin e tatimeve në Kosovë. Është orientuar drejt ofrimit të shërbimit modern, elektronik, duke krijuar aplikacione që lehtësojnë përmbushjen vullnetare të tatimpaguesve”.

“Krijimi i kanaleve të reja të komunikimit, zhvillimi i aplikacioneve të zhvillimit të riskut në përzgjedhjen e tatimpaguesve që shmangin tatimet si dhe përdorimi i forcës së ligjit ndaj atyre që bëjnë evazion fiskal. Me kapacitetet që i ka ATK është e gatshme t’i përkrah të gjitha iniciativat e Qeverisë. Gjithnjë në funksion të lehtësimit të të bërit biznes në Kosovë dhe prioritet është luftimi i ekonomisë joformale për të cilën është përgjegjës ATK”.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell, tha se ekonomia joformale po dëmton shumë fusha duke lehtësuar korrupsionin e që po ndikon direkt në kualitetin e jetës së qytetarëve.

O’Connell kërkoi që të mbështeten inspektorët tatimor në mënyrë që të kryejnë punë e tyre të pavarur.

“Në Kosovë ekonomia joformale është shumë e lartë. Kjo dëmton fusha të ndryshme. Zvogëlon buxhetin e Kosovës lehtëson korrupsionin dhe kjo prek direkt kualitetin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Jam shumë i kënaqur që jemi së bashku me një qëllim të përbashkët. Të mbështesim ATK-në në zbatimin e reformave të domosdoshme, por edhe sfiduese. Prania e Ambasadës gjermane dhe bashkëpunimit me Britaninë e Madhe tregon sa e rëndësishëm është kjo temë”.

“Ne e dimë se ka shumë kompani që në një mënyrë ose tjetrën mundohen ta shmangin deklarimin e tatimit. Kjo dëmton jo vetëm bizneset e mira, por edhe tregun në Kosovë. Unë besoj që ka shumë zyrtarë në ATK të dedikuar në punën e tyre. Që janë të gatshëm të bëhen heronj të rinj të Kosovës, të cilët kanë nevojë për mbështetjen tonë. Projektligji mbi sinjalizuesit e korrupsionit do të sigurojë mbështetjen e plotë të njerëzve që duan ta raportojnë korrupsionin. Inspektorët tatimorë kanë nevojë për mbështetje profesionale”.

“ATK-ja do të jetë me profesionale dhe më transparente karshi tatimpaguesve. D.m.th shërbimet e ATK-së do të përmirësohen, por jo vetëm kaq. Kjo mbështetje do ta rrisë edhe vetëbesimin e inspektorëve sepse do të mund të vlerësojnë në mënyrë profesionale tatimpaguesit”.

Ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, tha se janë duke bashkëpunuar me ATK-në në forcimin e kapaciteteve, duke shtuar se përmes punës së tyre inspektorët do të ndihmojnë në forcimin e vendit.

“Ne jemi këtu që së bashku ta bëjmë më të lehtë punën dhe t’i përforcojmë institucionet e këtij vendi. Ne jemi duke bashkëpunuar të ndërtojmë kapacitet e ATK-së dhe përforcimin e bashkëpunimit me institucione të tjera. ATK është pjese e shtetit dhe është vetë shteti. Përmes punës suaj ju ndihmoni përforcimin e këtij vendi”.

David Oberhuber, Drejtor i Zyrës së GIZ-it në Kosovë, ka garantuar mbështetje të vazhdueshme për ATK-në.

“Kudo në botë administrata tatimore nuk pëlqehet. Por kur organizata e merr punën seriozisht atëherë respektohet. Jemi këtu që ATK të jetë një organizatë e respektuar dhe t’i kryej punët e veta. Jemi të lumtur që të punojmë bashkë që ta ngritim profesionalizmin brenda ATK-së”.

Të ngjashme