ATRC: Të trajtohen dhe të kompensohen sipas ligjit viktimat që iu shkelen të drejtat e njeriut

Prishtinë | 12 Sht 2018 | 11:15 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

“Kompensimi i dëmit ekonomik dhe joekonomik ndaj viktimave të shkeljeve të të drejtave të njeriut”, ka qenë tryeza e radhës e diskutimit, organizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC).

Kushtrim Kaloshi, drejtor ekzekutiv i ATRC-së, ka hapur diskutimin për kompensimin e dëmit ekonomik dhe joekonomik ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe ka prezantuar punën e organizatës ashtu edhe Iniciativën Ligjore, përkatësisht Amandamentin e Nenit 69 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se për shkak të rasteve të raportuara nga viktimat, si ai i Diana Kastratit, është vendosur që të merret vendimi për ndryshimin e ligjit për Menaxhimin e Financave Publike.

“Ne mblodhëm 13.000 nënshkrime në vitin 2013 gjatë fushatës ‘Drejtësia dhe Qytetarët’, për ta ndryshuar këtë nen nga Kuvendi i Kosovës, dhe në vitin 2016 është ndryshuar”.

Kaloshi ka thënë se po punojnë mbi një draft ku tregohet për dëmet ekonomike dhe joekonomike, me qëllim informimin e qytetarëve, raporton EO.

“Sipas një drafti të udhëzimit administrativ, ndaj Ministrisë së Financave kemi specifikuar çka është dëmi ekonomik dhe ai joekonomik, të cilët përfshijnë si dhimbja, vuajtja”.

Ndërkaq ka përmendur edhe rastet e fundit të viktimave.

“Rasti i dy djemve kur Policia ka thënë nuk e kemi ditë sepse e kemi marrë që nuk është i vërtetë”.

“Po bashkëpunojmë me Ministrinë e Financave në këtë çështje dhe do të veprojmë edhe me atë të drejtësisë, se si duhet trajtuar rastet në këto situata”.

“Ky nen e ka kufizuar kompensimin për qytetarët e dëmtuar vetëm për “dëmet ekonomike të cilat janë të vërtetuara nga gjykata në bazë të provave”, ka thënë Kaloshi.

Ai ka shtuar se duhet të bëjmë presion publik për të treguar procedurat, nëse ata janë viktimë ose mendojnë se janë viktimë e shkeljeve të të drejtave të njeriut.

“Të bëjmë presion që në gjykata këto raste të trajtohen dhe kompensohen sipas ligjit”.

Ai ka thënë se kërkesën për kompensim ia kanë bërë edhe Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave.

“Kur ia kemi bërë këtë kërkesë Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave, ata janë përgjigjur se a jeni të vetëdijshëm për koston që do të kushtojë?”

“E drejta e njeriut nuk është e garantuar me financa, por me ligj”.

Astrit Hoti, drejtor i Departamentit Ligjor, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka treguar për rolin e Këshillit në kompensimin e dëmeve.

“Këshilli ka të bëjë me kompensimin e dëmeve për të dëmtuarit. Këshilli e ka kryer këtë punë që nga 2001”.

Ai ka prezantuar disa statistika, në të cilat është shfaqur numri i viktimave dhe rastet e raportuara.

“Në vitin 2017 ka pasur 153 persona që kanë raportuar dhe janë kompensuar me shumën 385 mijë euro”.

“Për çdo vit janë ndarë 250 mijë euro, mirëpo për shkak të rasteve të shtuara, ai ka thënë se buxheti i ndarë për këtë vit nuk do të jetë i mjaftueshëm”.

Isuf Jahmurataj, zyrtar i lartë ligjor, Ministria e Drejtësisë, tregoi se ka buxhet, mirëpo varësisht nga numri i rasteve, duhet të shtohet edhe buxheti.

“Ministria e Drejtësisë e ka konsideruar pjesë të politikës së saj hartimin e këtij ligji. Si ligj ka pasur jashtëzakonisht vështirësi, për shkak se elementi i buxhetit ka qenë problematikë dhe ajo e kompensimit problem i dytë”.

“Ekziston një buxhet që besoj se është i mjaftueshëm, por me rastet që mund të shtohen mund të rritet edhe buxheti. Jemi të informuar se ka viktima që kanë mundësi ta bëjnë këtë kompensim, por pengesa është te mosinformimi”.

“Kjo formë kompensimi vjen vetëm pasi viktima nuk ka mundësi të kryejë detyrimin, në raste tjera duhet ta kthejë atë prapa”.

Të pranishëm në këtë diskutim ishin edhe përfaqësues nga organizata të tjera si, KIPRED, Demokraci Plus, Germin, etj.

Të ngjashme