Auditori i Përgjithshëm ka paguar 2.1 milionë € për qira

Prishtinë | 24 Jan 2018 | 14:15 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nga viti 2003, Zyra e Kombëtare e Auditorit vetëm për qiranë e objektit ku janë vendosur zyrat e këtij institucioni ka paguar 2.1 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

Para komisionit për Buxhet dhe Financa Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, tha se kanë kërkuar nga kuvendi komunal i Prishtinës që objekti i vjetër i shkollës Ekonomike të përdorët për nevojat e këtij institucioni.

“Përsëris kërkesat për organet e Qeverisë dhe Kuvendit Komunal të Prishtinës, kam kërkuar të na jepet objekti i shkollës së vjetër Ekonomike dhe ta përdorim për nevojat institucionale, prej vitit 2003 janë paguar 2.1 milionë euro qira deri në vitin 2018”, tha Osmani.

Kryetari i këtij komisioni, Lumir Abdixhiku, tha se është shqetësuese që veç për qira shpenzohen 10 mijë euro në muaj.

“31% e buxhetit me shkuar për qira është shumë, gati 10 mijë euro në muaj shkon në qira, dhe a keni bërë ndonjë kërkesë në kryeministri për pagesën e qirasë për objektin ku veproni”, tha Abdixhiku.

Ndërsa Enver Hoti, nga Nisma për Kosovën, ka kërkuar sqarim pse nuk ka pas bashkëpunim me ministrinë e Administratës Publike për gjetjen e objektit adekuat.

“Pse nuk keni bashkëpunuar me administratën publike për të gjet një objekt adekuat”.

Osmani me këtë rast sqaroi se kanë zhvilluar bisedime me të gjitha institucionet dhe kanë kërkuar që objekti që do të ofrohet për ta të jetë në Prishtinë e jo në rrethinë.

“Kemi punuar me rektoratin se ka një objekt që ta marrim ku ka qenë ish TMK-ja, kemi lënë në dorë edhe qeverisë që të në ja jap një objekt në Prishtinë, na duhet në Prishtinë, nën një për prezantimin institucional të zyrës së auditimit dhe në mënyrë që mos të rritet kostoja e shpenzimeve për të dal jashtë Prishtinës”.

Safete Hadergjonaj, nga PDK, tha se nganjëherë zgjedhja e objektit bëhet në bazë të preferencave e interesave personale.

Kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar që të ftohet ministri i Administratës Publike që të sjellë listën e objekteve me qira ku janë të vendosur institucionet publike.

“Unë propozoj që në fjalën adresuar në Kuvend të bëjmë zgjidhjen dhe të ngrisim zërin për këto objekte, për qiranë e madhe të tyre, e dyta me i dërguar kryesuesit të kuvendit komunal letër për qartësinë e mosdhënies së objektit në shfrytëzim, pika e tretë të thërrasim në bisedim ministrin e Administratës Publike me sjell listë të objekteve me qira që janë të vendosura institucionet e vendit”.

Auditori Osmani, u shpreh se mungesa e objektit të duhur për zyrën e auditorit paraqet pengesë edhe në ruajtjen e dokumentacioneve të cilat me Ligjin e ri duhet të ruhen deri në 70 vjet, raporton EO.

“Ne jemi të obliguar te ruajmë dokumentacionin , vetëm 15 vjet mund t’i ruajmë dokumentacionet, më Ligjin e ri deri në 70 vjet duhet t’i ruajmë”.

Ndërsa në këtë mbledhje është ftuar edhe bordi i KOSTT për raportim. Ankesat e anëtareve të komisionit ishin mos qartësia e raportit vjetor si dhe mungesa e të gjithë anëtarëve të bordit. Komisioni vendosi që KOSTT të raportojë në mbledhjen e radhës.

Të ngjashme