AUVK ka mungesë të inspektorëve, buxheti i pamjaftueshëm pamundëson shtimin e tyre

Prishtinë | 21 Jan 2018 | 08:32 | Nga Besjana Bajrami

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) po përballet me mungesë të numrit të inspektorëve në terren.

Lamir Thaçi zëdhënës nga kjo Agjenci, në një prononcim për Ekonomia Online the se kufizimet buxhetore kanë pamundësuar shtimin e numrit të inspektorëve.

Thaci thotë se të shumë punë delegojnë edhe tek inspektorët komunal, ngase sipas tij, nesh AUVK do të kryente të gjitha inspektimet ata do të mbesin pa punë.

“Numri i inspektorëve brenda Agjencisë sigurisht që nuk është i mjaftueshëm, ne kemi nevojë për kapacitete shtesë, por kufizimet buxhetore dhe mundësit janë këto që i kemi tani. Përmes planeve tona nacionale që ne kemi për kontroll dhe mostrim mundohemi që të arrijmë t’i mbulojmë masën më të madhe dhe njëkohësisht delegojmë kompetenca tek inspektorët komunal sepse nëse ne arrijmë t’i kryejmë të gjitha atëherë ata do të mbesin pa punë”, tha Thaçi

Ndërkaq i pyetur se a është i sigurt ushqimi konsumohet në vend, Thaçi tha se Agjencia me kapacitetet e saj mundohet që të kontrollojë dhe të mbajë nën kontroll ushqimin i cili ju ofrohet qytetarëve.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes inspektorateve, tri lloje të inspektorëve që ka, brenda procedurave, kompetencave dhe mandateve që ka, mundohet që gjatë gjithë kohës me punën në terren që ne  bëjmë të garantojmë siguri sa më të lartë të produkteve që tregtohen në vendin tonë”.

Ai ka sqaruar edhe për llojet e inspektimeve që bëjnë, duke shtuar se mbi secilin dyshim, ngarkesat me mall nuk lejohet të hyjë në vendin tonë.

“Për produktet e importit gjithmonë çdo ngarkesë përpara se ajo të përpara se ajo të ç’doganohet kontrollohet nga ana e inspektorëve kompetent. Nëse produktet janë me origjinë shtazore atëherë i nënshtrohet kontrollit të inspektorëve veterinarë, nëse produktet janë me origjinë bimore atëherë kontrollohen nga ana e inspektorëve fito-sanitarë por gjithë këta inspektorë janë me kualifikim të lartë dhe janë profesionist të fushave të tyre dhe kontrolli i tyre bëhet bazuar në procedurat standarde të cilat janë të bazuara në ligjet në fuqi.  Mbi secilin dyshim, ngarkesa nuk lejohet të hyjë në vendin tonë”.

“Brenda territorit të vendit ne prapë kontrollojmë me të njëjtë inspektor, kemi edhe inspektorët sanitarë të cilët kontrollojnë higjienën e ushqimit dhe higjienën e të gjitha objekteve që shërbejnë për publikun e njëkohësisht në shumë aksione dhe në shumë punë të cilat ne nuk arrijmë t’i mbulojmë me inspektorat tonë”, tha ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme