Avokati i Popullit: KEDS-i do të falimentonte nëse s’do të faturonte borxhet e veriut

Prishtinë | 12 Dhj 2017 | 11:27 | Nga Donika Osmani

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, tha se ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) dhe nga KEDS që të gjitha paratë që u janë faturuar qytetarëve pa të drejtë, për të mbuluar humbjet në veriun e vendit, t’u kthehen.

Ai ka bërë të ditur se me këto veprime është bërë shkelja e 4 ligjeve që janë në fuqi, raporton Ekonomia Online.

“Më 18 maj të këtij viti kam pranuar përgjigje nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ku janë pranuar humbjet komerciale të KEDS dhe shtesën ku thuhet se me këto humbje nuk do të mund t’ia dilte. Ndërsa, kam kërkuar që të di si është proceduar me këtë çështje”.

“Tutje, kam kërkuar që mjetet që u janë inkasuar qytetarëve, pa të drejtë, t’u kthehen. Jo të gjitha përnjëherë, por në fatura, në shuma të caktuara, në mënyrë që të mos dëmtohet as KEDS-i. Po presim përgjigje nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe KEDS për këtë çështje. Po ashtu, kemi kërkuar që të shfuqizohet vendimi i vitit 2012 i ZRRE-së, për pagesë të këtyre faturave, dhe po presim që Gjykata Supreme ta marrë parasysh padinë tonë”.

Në këto deklarata të Jasharit ka reaguar deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Miljana Nikoliq, e cila ka kërkuar të dijë si e ka evidentuar Avokati i Popullit këtë praktikë, duke shtruar pyetjen: “Ku shkruan që kjo pjesë qytetarëve të jugut po u shtohet nga harxhimet e atyre të veriut”?

Jashari, duke u përgjigjur në pyetjen e deputetes Nikoliq, ka theksuar se kjo shumë nuk është e ndarë në faturë, pasi i është bashkëngjitur asaj të harxhimit nga secili qytetar, por se këtë mënyrë veprimi ia kanë konfirmuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, me arsyetimin se në të kundërtën KEDS do të falimentonte.

“Arsyetimi i ZRRE-së ka qenë që KEDS-i ka mundur të falimentojë dhe për pasojë të ketë krizë energjetike, mirëpo kur kemi kërkuar që të shohim bilancin financiar të KEDS-sit, nuk na kanë dhënë. Ne kemi propozuar që pagesa e rrymës në veri të bëhet nga Fondi për Zhvillimin e Veriut e jo nga Buxheti i Kosovës. Përndryshe ne kemi dërguar padi në gjykatë për kompensim moral. Derisa humbjet komerciale janë vjedhje të energjisë, më ka çuditur fakti se pse ZRRE-ja dhe KEDS-i nuk kanë dërguar padi”.

Deputeti Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, këtë vendim e ka cilësuar si vepër penale, ngase është cenuar prona e qytetarit të Kosovës.

Komisioni ka përkrahur rekomandimet e Avokatit të Popullit ndërsa është aprovuar kërkesa që në mbledhjen e ardhshme të ftohet ZRrE-ja.

Lexo më shumë:

Të ngjashme