Azemi: Gjendja e punëtorëve privatë është rënduar nga fillimi i pandemisë

Prishtinë | 13 Kor 2020 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se gjendja ekonomike dhe sociale e punëtorëve të sektorit privat trefish është vështirësuar nga fillimi i pandemisë COVID-19.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e ka hallin e gjendjes dhe vështirësive me të cilat po përballen punëtorët në këtë sektor.

Azemi ka bërë thirrje që të miratohet buxheti në mënyrë që punëtorët ta marrin shumën prej 170 eurosh.

“Gjendja e punëtorëve në sektorin privat është e rëndë, sidomos në këtë kohë pandemie kur është trefishuar gjendja e vështirësive. Në fakt, Qeveria e Kosovës nuk ka krijuar ndikimet e veta për stimulim dhe lehtësim të punëtorëve në sektorin privat. Sa i përket pakos emergjente, pjesa dërrmuese e këtyre mjeteve nuk kanë shkuar në vendin adekuat. E kam fjalën për kompensimin e punëtorëve. Një pjesë e madhe e këtyre mjeteve kanë shkuar në vende të ndryshme dhe ne si sindikatë ia kemi tërhequr vërejtjen ish-ministrit, por edhe ministres së tanishme të Financave. Ka punëtorë që janë duke punuar dhe nuk e kanë marrë pagën e prillit, majit dhe qershorit. Është një gjendje që nuk po shohim një dritë në fund të tunelit”, ka deklaruar Azemi.

Ai ka thënë se është paturpësi e madhe se si deputetët e Kosovës nuk e votuan buxhetin dhe e pamundësuan marrjen e pagesës prej 170 eurosh për punëtorët e sektorit privat.

“Është një paturpësi e madhe që individët që kanë mirëqenie të lartë jetësore, siç janë deputetët, nuk çajnë kokën për punëtorët e sektorit privat. Po të kishte qenë edhe një shtet armik këtë gjendje s’do ta lejonte me punëtorët e sektorit privat që të kërkojnë lëmoshë te njëri-tjetri. Ata e zvarrisin çështjen e votimit të buxhetit dhe punëtorët e sektorit privat mbesin pa paga”, është shprehur ai për Epoka e Re.

Azemi ka theksuar se duhet të zgjatet afati i ndihmës për punonjësit e sektorit privat.

“Vendimi është që të kompensohen punëtorët e sektorit privat vetëm për muajin mars dhe prill. Ne kemi kërkuar që për punëtorët që janë në rrezikshmëri të punës të vazhdohet ndihma edhe për muajin maj dhe qershor, sidomos për punëtorët që kanë të bëjnë me Qendrën e Mjekësisë Familjare, punëtorët teknikë të cilët bëjnë sigurimin e këtyre objekteve, por sa do të aprovohet kërkesa jonë, mbetet të shohim. Por, meqenëse pandemia është në vazhdim dhe rreziku është i lartë, atëherë mendoj se qeveria në mënyrë obliguese duhet ta zbatojë këtë dhe, po ashtu, ta zgjasë ndihmesën edhe për muajt në vazhdim”, u shpreh tutje Azemi.

Sipas tij, shteti nuk është duke i mbrojtur të drejtat e punëtorëve në sektorin privat.

“Shteti nuk është duke e mbrojtur të drejtën e punëtorëve. Janë duke u larguar nga puna shumë punëtorë. Ne kemi bërë kërkesë edhe në inspektorat. Numri i punëtorëve të sektorit privat është 270-300 mijë, por në sistem s’besoj që janë as 200 mijë të cilëve u paguhet trusti dhe obligimet e tjera ndaj shtetit. Ne protesta kemi bërë në mënyrë individuale dhe në këtë kohë nuk parashohim protesta për shkak të pandemisë”, ka deklaruar ai.

Azemi ka thënë se është e kuptueshme gjendja e rënduar në buxhetin e shtetit por, sipas tij, shteti duhet të jetë i barabartë për të gjithë.

“Në momentin e fillimit të pandemisë kemi kërkuar që pagat e punonjësve në sektorin shtetëror të ulen në 50 për qind dhe të stimulohen punëtorët e sektorit privat të cilët asnjëherë s’kishin vëmendjen e shtetit dhe janë në rrezikshmëri të vazhdueshme, sepse janë aktivë në punë, përderisa punëtorët e sektorit publik po qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre dhe po ruajnë familjen, kurse ne duhet të punojmë për ta. Nuk e di se deri kur do të zgjasë kështu, por shteti duhet të jetë i barabartë për të gjithë”, ka deklaruar në fund Azemi. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme