Bajrami jep detaje për projektin “Kredia e likuiditetit të urgjencës së infrastrukturës vitale”

Prishtinë | 17 Gus 2020 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Ekonomisë Hykmete Bajrami ka nënshkruar marrëveshjen me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për projektin “Kredia e likuiditetit të urgjencës së infrastrukturës vitale” në vlerë prej 30 milionë euro.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se kredia është e destinuar për ndërmarrjet publike qendrore dhe lokale.

“Kredia do të ndihmojë ndërmarrjet publike që të kalojnë sa më lehtë periudhën e pandemisë duke marrë parasysh që shumica e tyre kanë pësuar rënie në të hyra deri në 50% si rezultat i pandemisë”, ka shkruar Bajrami.

Kësti i parë deri në 14 milionë euro do t’i sigurohet qeverisë për huazim për ofruesit e infrastrukturës vitale për mbështetje të menjëhershme emergjente, teksa kësti i dytë deri në 16 milionë euro do të përdoret për financim dhe mbështetje të mëtejshme deri në përmirësim të arkëtimit të ofruesve të shërbimeve të infrastrukturës vitale.

“Mbështetja për infrastrukturën vitale gjatë pandemisë COVID-19 është një nga komponentët kryesor të përgjigjes së BERZH ndaj krizës së pandemisë. Si përgjigje për këtë situatë të krijuar, në nivel global, Banka ka miratuar një Paketë Solidariteti në vlerë 21 miliardë euro në periudhën 2020-21 për të luftuar ndikimin ekonomik të COVID-19”, ka thënë Bajrami.

Të ngjashme