Bajrami: Në vitin 2021 pritet të kemi rritje ekonomike prej 5.2 për qind

Prishtinë | 28 Dhj 2020 | 12:58 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja në detyrë e Financave Hykmete Bajrami, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës kërkoi nga deputetët që të votojnë Projekt Buxhetin e vitit 2021.

Bajrami tha se për vitin 2021 presin që të ketë rritje ekonomike prej 5.2 për qind.

Ajo theksoi se Projekt Buxheti ka dy prioritete, përballjen me pandeminë dhe krijimin e kushteve për rimëkëmbje.

“Ky Projekt Buxhet tani po kërkohet të votohet në mënyrë që të mos bllokohen institucionet e vendit, në mënyrë që jeta të vazhdoj edhe pse kemi hyrë në fushatë elektorale. Projekt Buxheti trajton dy prioritete, përballjen me pandeminë dhe krijimin e kushteve për rimëkëmbje. Për sa muaj që do të jemi në detyrë kjo duhet të lejohet sepse është në interes të qytetarëve”.

Shefja e kuletës së shtetit theksoi tutje se të hyrat e parashikuara për vitin 2021 do të jenë 1.9 miliardë, ndërsa shpenzimet rreth 2.5 miliardë.

“Edhe pse në kushte të vështira për të parashikuar atë që do të ndodhë, ne jemi munduar që bashkë me Fondin Monetar Ndërkombëtarë dhe Bankën Botërore të japim disa shifra të përafërta për të paraparë se cila do të jetë rritja ekonomike për vitin 2021. Në vitin 2021 ne kemi paraparë që do kemi rritje ekonomike prej 5.2 për qind. Ky buxhet është një nga instrumentet kyçe që të arrijmë të sigurojmë këtë rikthim. Të hyrat i kemi parashikuar të jenë 1.9 miliardë euro dhe shpenzimet 2 miliard e 412 milionë euro”.

Të ngjashme