Bajrami: Përforcimi i ndërkombëtarizimit të NVM-ve është prioritet i Qeverisë

Prishtinë | 02 Dhj 2016 | 15:48 | Nga

Me ftesë të zëvendëskryeministres, përkatësisht ministres së Ekonomisë së Republikës së Kroacisë, Martina Dalic, ministrja Bajrami mori pjesë në takimin e ministrave “Të Procesit të Bashkëpunimit Evropian për Jug-Lindje (SEECP), që po mbahet në Zagreb.

Temë e takimit ishte “Konkurreshmëria dhe rritja e NVM-ve”, ku përveç ministrave dhe përfaqësuesve të vendeve të Evropës Jug-Lindore, po merr pjesë edhe komisionerja e BE-së për Tregun e Brendshëm, Industri, ndërmarrësi dhe NVM, Elzbieta Bienkowska.

Si kryesuese e delegacionit kosovar, ministrja Bajrami në reflektimin e saj foli për angazhimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të mësuarit e ndërmarrësisë gjatë gjithë jetës; ndërmarrësisë së grave dhe aftësimin e NVM-ve.

Ajo tha se “Strategjia Kombëtare për zhvillimin e NVM-ve 2012-2016, Strategjia e re që është në hartimin e sipër si dhe Strategjia e Arsimit të Lartë përfshijnë promovimin e mësimit të ndërmarrësisë gjatë gjithë jetës, ku janë të përfshira programet e mësimit të ndërmarrësisë për studentë, mësues dhe menaxhment”.

Ministrja Bajrami më tutje foli për rolin e Qeverisë në mbështetjen e ndërmarrësisë së grave, duke vënë theksin në implementimin e Ligjit për Barazi Gjinore, Programit të Kosovës për barazi gjinore dhe Platformës Kombëtare për gratë ndërmarrëse në Kosovë, si dhe programeve specifike për trajnim për gratë ndërmarrëse të ofruara nëpërmjet projekteve të ndryshme.

Ministrja foli gjithashtu edhe për zhvillimin e aftësive të NVM-ve, ku Qeveria përmes Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe një numri të donatorëve, përfshirë edhe Komisionin Evropian po u ndihmon ndërmarrjeve që të rrisin aftësitë e tyre konkurruese. Me mbështetjen e donatorëve, Qeveria vazhdimisht ofron trajnime për bizneset fillestare. Përforcimi i ndërkombëtarizimit të NVM-ve është një prioritet i gjithë Qeverisë, në veçanti i KIESA-s, shtoi ajo.

Në këtë takim u aprovua dokumenti Zagreb Charter “Mësimi i ndërrmarrësisë gjatë gjithë jetës, element kyç për konkurrueshmëri, rritje të mençur, gjithëpërfshirëse dhe vende pune në vendet anëtare të SEECP.”

Në margjina të takimit, ministrja Bajrami zhvilloi një takim të veçantë me komisioneren e Bashkimit Evropian, Elzbieta Bienkowska, si dhe me zëvendëskryeministren, përkatësisht ministren e Ekonomisë së Republikës së Kroacisë, Martina Dalic.

Në përbërje të delegacionit nga Kosova ishin edhe deputetja e Parlamentit të Kosovës, Blerta Deliu – Kodra; kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu si dhe kryeshefi i KIESA-s, Besian Mustafa.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme