Bajrami: Synojmë transformimin e ekonomisë dhe arritjen e standardeve të tregut evropian

Prishtinë | 04 Gus 2020 | 14:21 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të dialogut për qeverisjen ekonomike ndërmjet Kosovës dhe BE-së, Qeveria e Kosovës për herë të shtatë ka përgatitur Programin e Reformave në Ekonomi 2021-2023, raporton Ekonomia Online.

Për këtë qëllim të martën janë takuar ministrat e përfshirë në proces dhe koordinatorët e fushave nga ministritë e linjës, kurse përfaqësuesit e BE-së në Kosovë, ambasadat e vendeve anëtare të BE-së, partnerët zhvillimorë dhe institucionet ndërkombëtare financiare, përfaqësues nga shoqëria civile dhe sektori privat do të njoftohen rreth diskutimeve.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tha se ky program është një mekanizëm përmes të cilit Komisioni Evropian monitoron performancën e Kosovës si kandidat potencial në transformimin e ekonomisë dhe arritjen e standardeve  të tregut evropian.

“Ky program është një mekanizëm përmes të cilit Komisioni Evropian monitoron performancën tonë si kandidat potencial në transformimin e ekonomisë dhe arritjen e standardëve të tregut evropian”.

“Në aspektin praktik,  ky program është një udhëzues i mirë për ndërlidhjen e politikave me buxhetin në aspektin e planifikimit strategjik shumëvjeçar. Përmes këtij dokumenti identifikojmë mundësitë reale për veprim përmes analizave makroekonomike, duke u fokusuar në veprime konkrete të masave që vlerësohen në baza vjetore”.

“Përgatitja e buxhetit të rishikuar ka ndodhur në kushtet e rënies së ndjeshme të të hyrave buxhetore krahasuar me vitin e kaluar. Buxheti i rishikuar për vitin 2020 do të shërbejë si një pikënisje për fillimin e hartimit të buxhetit për vitin 2021”, u shpreh Bajrami.

“Në këtë proces, institucionet që ne përfaqësojmë kanë bërë një punë të madhe në forcimin dhe avancimin e këtij dialogu. Siç mund të jeni në dijeni vlerësimet që kemi pranuar vazhdimisht nga KE-ja kanë qenë pozitive”.

“Për mua këto vlerësime janë njohje e suksesit tonë të përbashkët dhe me këtë dëshmohet se Kosova e kupton rëndësinë dhe rolin e procesit të qeverisjes ekonomike si një nga shtyllat kryesore të zgjerimit si përgatitje për pjesëmarrjen eventuale në Semestrin Evropian”, tha ajo.

Dialogu përmbyllet me takimin e nivelit të lartë ndërmjet BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë gjatë të cilit pjesëmarrësit miratojnë Konkluzionet e Përbashkëta që përfshijnë udhëzime të politikave specifike për vendin e që pasqyrojnë nevojat më imediate  të reformave në ekonomi për 12 muajt e ardhshëm.

Të ngjashme