Balija: Të gjitha bankat po zbatojnë vendimin për pezullimin e pagesave të kësteve të kredisë

Prishtinë | 03 Pri 2020 | 22:23 | Nga Ekonomia Online

Kryeshefi ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka treguar se të gjitha bankat janë duke e zbatuar vendimin e datës 16 mars 2020 për pezullimin e pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars 2020 deri me 30 prill 2020 dhe varësisht nga rastet dhe kërkesat e klientëve, ky pezullim po aprovohet edhe për më gjatë.

Në një prononcim për RTK, Balija ka thënë se bankat po i shqyrtojnë të gjitha kërkesat e klientëve të interesuar dhe në rast të aprovimit, bankat nuk janë duke përllogaritur kamatëvonesë (interes ndëshkues) në lidhje me këto kredi por vetëm interesin e rregullt. “Në këtë formë bankat po ofrojnë masa lehtësuese të cilat janë mirëpritur dhe janë shfrytëzuar nga një numër i konsiderueshëm i klientëve”.

“Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, bankat nuk ua përkeqësojnë klasifikimin kreditor në Regjistrin e Kredive për periudhën e pezullimit të pagesave dhe vazhdojnë ta raportojnë klasifikimin e fundit që e kanë pasur para marrjes së vendimit të datës 16 mars 2020 si dhe nuk ndajnë provizione shtesë përgjatë periudhës së pezullimit të pagesave”.

Balija ka theksuar se bankat mbeten të përkushtuara që të ofrojnë ndihmën e tyre maksimale për klientët e tyre dhe njëkohësisht kanë përgjegjësi për ruajtjen e stabilitetit financiar të sektorit bankar, rrjedhimisht të ekonomisë së vendit.

Sipas kryeshefit të Shoqatës së Bankave të Kosovës, bankat në vend vazhdojnë të jenë stabile, likuide dhe mirë të kapitalizuara dhe vazhdojnë të ofrojnë të gjitha shërbimet bankare në tërë Kosovën duke respektuar edhe masat shëndetësore dhe kufizimet e aplikuara për të parandaluar shpërndarjen e virusit korona.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme