Banka Botërore ul parashikimin e rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor

Prishtinë | 10 Tet 2019 | 09:26 | Nga Ekonomia Online

Banka Botërore tha se ka ulur parashikimin e saj për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor në vitin 2019 në 3.2 për qind nga 3.5 për qind e parashikuar në muajin prill.

Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor u përshpejtua në 3.9 për qind në vitin 2018 nga 2.6 për qind në vitin 2017. Banka Botërore vuri në dukje se ndërsa ekonomia rajonale parashikohet të rritet në vitin 2020 dhe 2021, ajo do të mbetet pak nën nivelin dhjetëvjeçar të vitit 2018.

“Aktiviteti ekonomik po ngadalësohet në Ballkanin Perëndimor, pasi investimet dhe eksportet vazhdojnë të veniten në gjashtë vendet e rajonit. Ndërsa rritja në Maqedoninë e Veriut ka vazhduar të rritet pas një ngadalësimi të madh në 2019 dhe pritet të mbetet e fortë në Kosovë me 4%, shumica e ekonomive në rajon po shohin një rritje më të ngadaltë në krahasim me një vit më parë”, tha Banka Botërore pas prezantimit të raportit.

Me gjithë ngadalësimin ekonomik, papunësia vazhdoi të bjerë në rajon, duke rënë në nivelet historike prej 15.8 për qind deri në qershor të këtij viti, tha huadhënësi, duke shtuar se niveli më i ulët i papunësisë në rajon është akoma ai i Serbisë, i cili qëndroi në 10.3 për qind në tremujori i dytë i vitit 2019, i ndjekur nga 11.5 për qind e Shqipërisë.

Banka Botërore parashikon që rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2020-2021 të jetë afër 4 për qind. Ky parashikim është për 0.2 për qind më i ulët se parashikimi paraprak i këtij institucioni.

Raporti i Bankës Botërore, i cili hartohet dy herë në vit, përfshin zhvillimet më të fundit ekonomike, parashikimet afatmesme dhe politikat zhvillimore në Kosovë dhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme