Banka Qendrore e Kosovës shpall konkursin për çmimin “Ekonomistët e rinj”

Prishtinë | 05 Sht 2019 | 11:32 | Nga Ekonomia Online

Në funksion të nxitjes së hulumtimeve mes ekonomistëve të rinj të Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka krijuar mundësinë e dhënies së një çmimi për studimin më të mirë të paraqitur nga ekonomistët e rinj.

Sipas BQK-së, punimet duhet të jenë në domenin e sektorit financiar dhe zhvillimin ekonomik në Kosovë. Lidhur me këtë, BQK-ja do të organizojë një ngjarje të veçantë për shpalljen e punimeve më të mira të dorëzuara.

Rregullat e pranimit

1. Tema e dorëzuar duhet të plotësojë kriteret e një pune shkencore. Ajo mund të jetë në formën e një teme diplome (bachelor), temë diplome pasuniversitare (master) apo në formën e një teze doktorature (PhD).

2. Autori duhet të ketë aktualisht të regjistruar temën e diplomës apo të ketë përfunduar atë jo më larg se 12 muaj para afatit të paraqitjes së punimit, si dhe duhet të jetë autori kryesor në punimin që do të dorëzohet.

3. Tema duhet të jetë e shkruar në gjuhën shqipe ose gjuhë angleze.

4. Formati: punimi i dorëzuar nuk duhet të ketë më shumë se 25 faqe, lloji i shkrimit të jetë Times New Roman 12, hapësirë dyfishe. Përmbledhja ekzekutive nuk duhet të jetë më e gjatë se një faqe dhe lista e të gjitha referencave duhet t’i bashkëngjitet punimit.

5. Komisioni përzgjedhës i përbërë nga stafi i BQK-së dhe një përfaqësues nga akademia, jo vetëm që përzgjedh punimet që do të publikohen nga BQK-ja, por mund edhe të sugjerojë një ose më shumë nga ekonomistë e rinj konkurrues për t’u shpërblyer me çmim. Komiteti përzgjedhës do të gjykojë punimet duke përdorur kriteret e përgjithshme të miratuara nga drejtuesit e BQK-së: (a) interesi i subjektit në ekonominë kosovare, (b) cilësia e hulumtimit shkencor apo sinteza, dhe (c) cilësia e të shkruarit. Përveç kësaj, hulumtimet dhe shkrimet e të tjerëve të përfshira në punimin e paraqitur duhet të identifikohen mirë në fusnotat dhe referencat bibliografike.

6. Çmimi i parë do të shpërblehet me 700 euro, çmimi i dytë me 550 euro dhe i treti me 450 euro.

7. Pa paragjykuar Rregullën nr.6 vendimi përfundimtar për numrin e shpërblimeve varet nga cilësia e punimeve të paraqitura dhe do të merret në fund nga komisioni përzgjedhës. Prandaj nuk është e detyrueshme që numri i shpërblimeve të jetë një ose më shumë se një.

8. Fituesit e çmimeve të mëparshme dhe punonjësit aktualë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, nuk mund të aplikojnë me punimet e tyre në këtë konkurs.

9. Studentët e interesuar për aplikim mund të aplikojnë:
– Duke dorëzuar punimet e tyre në version elektronik (pdf), në [email protected] të shoqëruar nga tri kopje me shkrim të dërguara në adresën e mëposhtme: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), Attn. Çmimi i BQK-së për Ekonomistët e Rinj, Rruga Garibaldi nr 33, Prishtinë, Republika e Kosovës.
– Emrin e udhëheqësit të Temës dhe Universitetin/Fakultetin përkatës.
– Kopjen e letërnjoftimit.

10. Data e fundit për dorëzim do të jetë 30 tetor 2019.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme