Banka Qendrore e Zvicrës nuk di si të veprojë me normat e interesit

Prishtinë | 17 Sht 2019 | 15:56 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Bankës Kombëtare Zvicerane (SNB) Thomas Jordan gjendet përsëri para një udhëkryqi se si duhet të veprohet në lidhje me normat e interesit, në një kohë kur Banka Qendrore Evropiane do të ulë të vetat dhe e njëjta gjë pritet edhe nga Rezerva Federale.

Pas goditjeve të fundit të BREXIT-it, franga ka rrëshqitur nga një rekord të ulët dy-vjeçar pavarësisht nga stimuli i Bankës Qendrore Evropiane. Ekonomistët parashikojnë që niveli i normave të vazhdojë të mbetet në 0.75 për qind pasi zyrtarët pritet të takohen të enjten për rrugën që do ndjekin në manovrimin e politikave monetare.

Qeveria zvicerane theksoi kërcënimin e vazhdueshëm nga një BREXIT pa marrëveshje në fillim të tetorit, duke thënë se ai do të frenonte ndjeshëm vrullin evropian dhe do të ushtronte presion në rritje tek franga, duke dëmtuar eksportet zvicerane, përcjell Telegrafi.

Kohët e fundit Banka Qendrore Evropiane dhe ajo e Danimarkës kanë vendosur përsëri për uljen e normave dhe nisur nga këto politika, për të parandaluar hyrjen e kapitalit, Banka Zvicerane ka argumentuar se ka nevojë për një diferencial të normës së interesit me Eurozonën. Ndaj mendohet se ndoshta ajo duhet të imitojë Danimarkën dhe të sigurojë një ulje tjetër me 10 pikave bazë. Megjithatë, kjo do të ishte e rrezikshme duke pasur parasysh që norma e saj është tashmë në nivele rekord të ulëta.

Bankat e vendit tashmë janë ankuar për normat negative dhe ekonomistët kanë shtruar pyetje në lidhje me efektivitetin e tyre. Ndërsa franga u forcua në muajin gusht, statistikat tregojnë se të huajt nuk po depozitojnë më në masë tek bankat e sigurta të Zvicrës. Por në kohën kur në terma nominale franga është më shumë se 30 për qind më e fortë ndaj kuotave të zakonshme, inflacioni shumë më i ngadaltë në Zvicër krahasuar me Eurozonën, nënkupton se diferenca relative është ulur.

SNB uli perspektivën e saj të inflacionit në fillim të këtij viti, ndërsa rritja ekonomike projektohet rreth 1.5 për qind këtë vit, megjithëse me rreziqe të mundshme. Më e rëndësishmja, Gjermania, tregu më i madh i eksportit në Zvicër, gjendet në prag të recesionit. Qeveria uli parashikimin e rritjes për vitin 2019 në 0.8 për qind nga 1.2 për qind.

Ashtu si në vendet e tjera, politika monetare stimuluese e Zvicrës ka nxitur një bum tek tregu i banesave dhe SNB ka paralajmëruar një korrigjim të mundshëm, diçka që mund të zbardhet të enjten. Banka nuk mund të rritë normat e interesit nga frika e kthimit të presionit tek franga dhe as nuk mund t’i ulë ato më tej, kur edhe nivelet e tanishme janë ndër më të ulëtat historikisht. Të gjithë parashikojnë një mbajtje të normave në nivelin aktual, por e gjitha mbetet për t’u parë.

Të ngjashme