“Bankat komerciale, bizneset më fitimprurëse në Kosovë”

Prishtinë | 17 Gus 2019 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Industria bankare vlerësohet të jetë sektori më fitimprurës në Kosovë. Dhjetë bankat komerciale që operojnë në treg, tetë nga to më kapital të huaj dhe sipas ekspertëve për çështje financiare, kanë gjetur treg të përshtatshëm duke mbajtur nivel të lartë të fitimit.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës vlera e fitimit të bankave për vitin 2018 ka arritur në 88 milionë euro. Të hyrat nga interesi për kredi kanë shënuar rritje dhe ishin ndër faktorët kryesorë të rritjes së profitit, krahas të hyrave nga tarifat dhe komisionet.

Flamur Keqa, ekspert për çështje financiare, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se në mungesë të parave të gatshme, qytetarët dhe bizneset detyrohen të shfrytëzojnë kredi me kamata të larta të interesit, çka automatikisht ndikon në rritjen e profitit të bankave. Kurse vlera e kredive joperformuese në bankat komerciale është më e ulëta në rajon.

Fitimi i madh i bankave private në Kosovë sigurohet edhe nga dallimi i madh në mes normave të interesit dhe depozitave.

“Përveç kredive, edhe shërbimet të cilat i ofrojnë bankat konsumatorëve në Kosovë janë shërbime me çmime jashtëzakonisht të larta dhe të favorshme për bankat. Pra, të gjitha këto kanë determinuar që bankat komerciale të jenë bizneset më fitimprurëse në Kosovë në këto 20 vjet”, tha Keqa.

Norma mesatare e interesit për kredi në bankat komerciale është 6.3 për qind, kurse norma e interesit për depozita është 1.2 për qind. Vlera e kredive në këto institucione ka arritur në rreth 3 miliardë euro, ndërsa vlera e depozitave (kursimeve) në rreth 3.5 miliardë euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme