Bankat në Kosovë, më 2019 patën 82.4 milionë € fitim neto

Prishtinë | 06 Shk 2020 | 23:54 | Nga Ekonomia Online

Industria bankare vlerësohet të jetë një nga sektorët më fitimprurës në Kosovë. Dhjetë bankat komerciale që operojnë në treg, tetë nga to me kapital të huaj, kanë gjetur një treg të përshtatshëm për të mbajtur nivele të larta të fitimit. Sipas analizave të Buletinit Ekonomik, në 10 vitet e fundit, bankat në Kosovë kanë fituar në total rreth 630 milion euro.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera neto e fitimit të bankave deri në nëntor 2019 ka arritur në 82.4 milionë euro. Sidoqoft, ky nuk është viti kur bankat kanë fituar më së shumti para. Këtë epitet e mbanë viti 2015, kur sektori bankar ka shënuar fitimet më të mëdha vjetore prej 94.7 milion euro.

Sipas analizave të Buletinit Ekonomik, fitimet neto të sektorit bankar për periudhën 2009-2019 kanë qenë 626.3 milion euro. Sa për ilustrim, momentalisht vlera totale e depozitave të qytetarëve (ekonomive familjare) në banka në Kosovë është 1.5 miliard euro.

Siç shihet nga tabela e mëposhtme, nga viti 2009 deri në 2013, fitimet e sektorit bankar janë sillur nga 20 – 35 milion euro. Pas vitit 2014, fitimet neto vjetore asnjehere nuk kanë qenë më të ulëta se 75.5 milion euro.

Arsyeja kryesore e fitimeve të larta të bankave prej vitit 2013 e tutje, shpjegohet me uljen e shpenzimeve të interesit. Me fjalë të tjera, kosto e huazimit të bankave ka rënë dukshëm, nga 63.8 milion euro në vitin 2013 në 19.4 milion euro në 2019. Kjo është bërë si rezultat i uljes së normave të interesit për depozitat bankarë. Me fjalë të tjera, qytetarët që kanë kursyer para në bankat në vend kanë përfituar norma të ulëta të interesit për depozitat e tyre.Edhe pse gjatë kësaj periudhe normat e interesit në kredi kanë pësuar rënie, të hyrat nga interesi të bankave kanë qëndruar pothuajse të njëjta si pasojë e rritjes së portfolios së kredive. Edhe nëse gjatë viteve ka pasur një rënie të lehtë nga të hyrat nga interesi, kjo është kompensuar me rritje të të hyrave nga jointeresi.

Të hyrat nga jointeresi, janë kryesisht të hyrat që gjenerohen nga bankat përmes tarifave dhe komisioneve për shërbime bankare. Këto të hyra janë rritur nga 38.7 milion në 2009, në 56.6 milion në 2019.  (Buletini Ekonomik)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme